Zjarret/ Nga Dajti në Gurë-Lurë të Dibrës, ende 7 vatra aktive! Vijon ndërhyrja nga ajri për shuarjen e flakëve

Aktualitet

Zjarret/ Nga Dajti në Gurë-Lurë të Dibrës, ende 7 vatra

12 vatra zjarri janë raportuar sot në vend, ku 7 prej tyre vijojnë të jenë aktive ndërsa 3 po mbahen në monitorim, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.

Vatra kryesore mbetet ajo në Gurë-Lurë të Dibrës, ku vijon ndërhyrja e forcave tokësore, e mbështetur nga dy avionë Air Tractor.

Zjarre aktive raportohen edhe në Malin e Dajtit, në Qafë Helmës e Bruç, si dhe në Lufaj të Mirditës dhe Fushë-Lajë të Pukës. Në të gjitha këto zona, autoritetet thonë se nuk ka rrezik për banesat, ndërsa disa vatra vijojnë të monitorohen.

Në operacione janë angazhuar 467 forca dhe 34 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura po mbështesin ndërhyrjen me 120 efektivë, dy helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.

Mali i Dajtit, Tiranë - vijon puna e forcave operacionale, të mbështetura nga 50 efektivë të FA dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore. Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Vakumone, situata është nën kontroll dhe zjarri i izoluar, ndërsa Priska vijon në monitorim.

Gurë-Lurë, Dibër - vijon një angazhim i gjerë me 180 forca bashkiake, 13 policore dhe 50 efektivë të FA, të mbështetur nga 2 avionë Air Tractor. Korridoret e hapura në terren kanë penguar përhapjen e zjarrit drejt banesave dhe aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Qafë Helmës - zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe vijon vetëm drejt Selishtës, pa rrezik për zonat e banuara. Në Bruç, Mat, operacioni vijon në terren të vështirë, gjithashtu pa rrezik për banesa.

Lufaj, Mirditë - vijon puna e strukturave në terren. 2 mjete zjarrfikëse të FA me 9 efektivë janë pozicionuar pranë banesave në lagjen Caraj për gatishmëri, ndërsa aktualisht vatra nuk paraqet rrezik për banesat..

Fushë-Lajë, Pukë - operacioni vijon me 2 automjete zjarrfikëse, 9 efektivë MZSH, 7 forca pyjore, 46 forca bashkiake, 16 vullnetarë dhe 40 efektivë të FA. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Ndërkohë një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një zonë kodrinore në fshatin Qishbardhë, në Vlorë mbrëmjen e së dielës.

Fatmirësisht mëngjesin e sotëm flakët janë vënë nën kontroll nga shërbimet zjarrfikëse.

Natën e kaluar era e fortë favorizoi përhapjen e flakëve, ndërsa ndërhyrja e forcave zjarrfikëse ishte pamundur për shkak të terrenit të thyer dhe errësirës.

ME TE LEXUARAT