Zjarret në vend, përmirësohet situata/ 6 vatra ende aktive, ja zonat ku po ndërhyhet

Situata e zjarreve në vend paraqitet më e qetë, ndërsa deri në orën 20:00 nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Nga 26 vatra të evidentuara gjatë ditës, 14 janë shuar, 6 janë vënë nën mbikëqyrje dhe 6 vijojnë aktive.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se ekipet e emergjencave vijojnë ndërhyrjen në terren, me fokus izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve.
Në operacionet e ditës janë angazhuar 311 forca operacionale dhe 16 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur ndërhyrjet me 70 efektivë, një automjet zjarrfikës, një ekskavator të rëndë dhe tre helikopterë.
Në Pukë, situata në zonën Tërbun–Gojan–Gjegjan është përmirësuar ndjeshëm. Zjarret në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë shuar, ndërsa vatra në Prozhëm vijon me intensitet të ulët dhe është drejt shuarjes. Në terren ndodhen forca të MZSH-së, shërbimit pyjor, strukturave vendore, vullnetarë dhe efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga toka dhe ajri.
Në Gojan të Fushë-Arrëzit, vijon puna për izolimin e një vatre në sipërfaqe pyjore. Në operacion janë përfshirë MZSH-ja, Policia, strukturat vendore dhe vullnetarët, ndërsa ndërhyrja nga ajri po kryhet me një helikopter të FA-së. Nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Dajt, disa vatra vijojnë aktive në terren të vështirë, por edhe këtu nuk ka rrezik për zonat e banuara. Gjatë ditës janë angazhuar 30 efektivë të FA-së dhe 30 zjarrfikës, me mbështetjen e një helikopteri.
Vatra aktive janë raportuar edhe në Ballenjë dhe Qafën e Helmës në Dibër, si dhe në malin e Luzatit në Tepelenë.
Ndërkohë, zjarret në disa zona të tjera të Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës janë shuar.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile. Forcat në terren mbeten në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e banesave, jetës dhe pasurisë së qytetarëve.


