Lejuan ndërtimet pa leje në Sarandë, ish-kryeinspektori dhe inspektorët e IVMT akuzohen për shpërdorim detyre(EMRAT)

Prokuroria e Sarandë ka njoftuar masa të reja sigurie në kuadër të hetimeve për ndërtimet pa leje, ku janë përfshirë një oficer i Policisë Gjyqësore dhe disa ish-zyrtarë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT).
Të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Shpërdorim detyre”, “Mosmarrje masash për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë” dhe “Ndërtim i paligjshëm”. Në listën e personave nën hetim përfshihen Eduard Veliu (ish-kryeinspektor i IVMT), Romelio Kadena, Ilia Gjika, Elvis Memushi (ish-inspektorë), si dhe Irakli Koçiaj, oficer i Policisë Gjyqësore në Sarandë.
Gjykata ka vendosur për oficerin e Policisë Gjyqësore masat “Pezullim nga detyra”, “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në polici”. Ndërkohë, ish-kryeinspektori Eduard Veliu është lënë në “arrest shtëpie”, me mundësi zëvendësimi të masës me garanci pasurore prej 100 mijë lekësh.
Për tre ish-inspektorët e tjerë të IVMT-së është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë së Prokuroria e Sarandës, hetimet vijojnë për të dokumentuar raste të tjera të mundshme dhe për të përcaktuar përgjegjësinë individuale të çdo punonjësi të përfshirë, si në policinë vendore ashtu edhe në institucionet e tjera përgjegjëse.
Në dokumentin zyrtar theksohet se procedimi penal po vijon për zbardhjen e plotë të veprave të dyshuara dhe identifikimin e çdo rasti të shkeljeve në territor.
“Në vijim të hetimeve mbi procedimin penal nr.304 të vitit 2026 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, ndaj oficerit të policisë gjyqësore, ish-kryeinspektorit dhe ish-inspektorët e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT), të akuzuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Mosmarrja e masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë” kryer më shumë se një herë dhe në bashkëpunim dhe “Ndërtimi i paligjshëm’, parashikuar nga neni 248, 251, 25 dhe 50/h, si dhe 199/a/4 i K.Penal, u dhanë masat e reja të sigurimit.
Nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë u paraqit kërkesë për verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit dhe vijimin e masës së sigurimit ‘arrest në burg’. Në vijim për këta shtetas u vendos:
– Caktimin ndaj personit nën hetim I.K, Oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Policisë Sarandë, të masave të sigurimit “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” parashikuar nga neni 233 i K.Pr. Penale dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”;
– Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim E.V, me detyrë ish-Kryeinspektor i IVMT Bashkia Sarandë, ‘Arrest në shtëpi’ parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, duke u detyruar personit nën hetim E.V. të qëndrojë dhe të mos largohet nga banesa e tij.
– Caktimin si masë sigurimi alternaltive e masës “Arrest në shtëpi”, masën e sigurimit “Garancia pasurore” parashikuar nga neni 236 i K.Pr.Penale, në shumën 100’000 (njëqind mijë) Lekë”;
– Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim R.K. me detyrë ish-inspektor i IVMT Bashkia Sarandë të “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, parashikuar nga neni 234 i K.Pr. Penale;
– Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim I.Gj, me detyrë ish-inspektor i IVMT Bashkia Sarandë; të “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr. Penale; dhe
– Caktimin si masë sigurimi personale shtrënguese ndaj personit nën hetim E.M, me detyrë ish-inspektor i IVMT Bashkia Sarandë të “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, parashikuar nga neni 234 i K.Pr. Penale.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë vijon hetimet për identifikimin e çdo rasti, dokumentimin e plotë të faktit penal dhe individualizimin e përgjegjësisë të çdo punonjësi të Komisatriatit të Policisë Sarandë por dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës”, shkruan Prokuroria.


