Vrasja në Durrës/ Hygerta “mjeshtre” e qitjes me armë, flet djali i vogël i Pëllumb Metës: E ndihmova për...

Vrasja e Pëllumb Metës nga pjesëtarët e familjes vijon të mbetet pa autor. Tre fëmijët e tij janë të arrestuar, ndërsa bashkëshortja, Blerina Meta, po hetohet në gjendje të lirë.
Që nga momenti kur është zbuluar ngjarja, mes fëmijëve ka pasur një ping-pong se kush ka qenë gjuajtësi që i mori jetën kryefamiljarit. Fillimisht ka qenë vajza e tij, Hygerta Meta 19-vjeç ajo e cila mori përsipër krimin, duke thënë se e kreu aktin pasi babai donte ta fejonte me zorr. Këto pretendime u hodhën poshtë nga familja që donte të lidhte krushqinë.
Por pas hetimeve, policia zbuloi se të përfshirë në krim ishin edhe familjarët e tjerë. Djali i madh i familjes Hysen Meta më pas pranoi se ishte ai personi që kishte qëlluar për vdekje babain, ndërsa motra, vëllai dhe nëna e kishin ndihmuar me fshehjen e trupit dhe të provave.
Përsëri, kjo deklaratë u rrëzua në gjykatë, dhe para togave të zeza ishte sërish 19-vjeçarja ajo që mori përsipër krimin e rëndë.
“Mjeshtëria” e vajzës në qitje
Por për të zbuluar autorin, policia provoi aftësitë e familjarëve në qitje. Nga testi i kryer ka rezultuar se Hygerta dinte të mbushte armën dhe të kryente qitje, ndërsa dy vëllezërit dhe nëna e saj kanë refuzuar ta kryejnë qitjen me arsyetimin se nuk dinë të mbajnë armën.
Për të vijuar më tej me zbulimin e krimit, pas qitjes policia e riktheu Hygertën në shtëpi, vend që ende vijon të jetë skenë krimi. 19-vjeçarja “kyçi” gojën dhe nuk tha asnjë fjalë për mënyrën se si e qëlloi babain, trajektoren apo edhe distancën, fakte këto që mund të çonin grupin hetimor drejt zbardhjes së ngjarjes.
Dyshimet e policisë
Nga ana tjetër, refuzimi i djemve dhe bashkëshortes për të kryer qitje, ka thelluar dyshimet te grupi hetimor se vrasjen e 50-vjeçarit mund ta ketë kryer njëri nga djemtë dhe se autorësia po kërkohet t’i lihet vajzës, me shpresën se ajo mund të dënohet më pak.
Dyshimet përforcohen nga ekspertiza e kryer me armën e krimit ku u gjetën gjurmë gishtërinjsh të djalit të vogël të familjes, Amarildos, në qesen që ishte mbeshtjellë ajo. Në armën e krimit rezulton se gjurmët ishin fshirë.
Dëshmia e djalit të vogël
Amarildo Meta, djali i vogël i familjes që vranë babanë Pëllumb Meta në Shënavlash të Durrësit ka mohuar para hetuesve të jetë ai autori i vrasjes, i pyetur pas daljes së akt-ekspertizës balistike të armës ku u gjetën shenjat e tij të gishtave.
Mësohet se 19-vjeçari ka pretenduar se nuk e ka prekur pistoletën dhe nuk ka qëlluar vetë të atin. Sipas tij, ai ka qenë në servis kur e motra Hygerta ka vrarë babanë dhe ngjarjen e ka marrë vesh pasi u kthye në shtëpi. Ai deklaron se për ngjarjen e rëndë vetëm ka ndihmuar të vëllanë Hysen Meta për të fshehur makinën.
Prokuroria e Durrësit akuzon si autor të vrasjes djalin e madh të familjes, ndërsa Hygertën e Amarildon si bashkëpunëtorë të tij.
Ndërsa motra dhe vëllai i Pëllumb Metës akuzon bashkëshorten e këtij të fundit, si personin e vetëm që ka vrarë kryefamiljarin, teksa ngrejnë dyshime se mund të jetë ndihmuar edhe nga persona të tjerë jashtë familjes.
Vrasja e Pëllumb Metës/ Dalin pamjet e Hygertës me armë në dorë, çfarë u zbulua në poligon

Sigurohen pamjet nga eksperimenti hetimor që u krye për të gjetur cili nga fëmijët ishte ai që qëlloi ndaj Pëllumb Metës.
Në foto shihet Hygerta Meta në një poligon qitjeje e cila mban në dorë një armë zjarri tip pistoletë.
Jo vetëm Hygerta, por dhe dy fëmijët e tjerë Hysen dhe Amarildo, si dhe bashkëshortja e të ndjerit, Blerina, janë dërguar në një poligon për të bërë qitje me armë.
Ky eksperiment hetimor është ndërmarrë për të përcaktuar, se cili prej tyre qëlloi me 4 plumba në drejtim të Pëllumb Metës, për shkak të dëshmive kontradiktore që kanë dhënë fëmijët gjatë hetimeve paraprake.
Nga eksperimenti ka rezultuar, se Hygerta Meta ka qenë në gjendje të mbushë armën, por nuk ka arritur të qëllojë në shenjë, ndërsa Hysen Meta, për të cilin grupi hetimor beson se është ekzekutori, ka refuzuar të qëllojë duke thënë se nuk di të mbajë armë.
Eksperimentin e kanë bërë dhe Blerina Meta dhe Amarildo Meta të cilët kanë thënë se s’kanë mbajtur kurrë më parë armë në dorë.
Prokuroria dhe policia e Durrësit thonë se vijojnë hetimet, ndërsa ngjarja e rëndë u regjistrua në Shënvlash më 10 shkurt, por u zbulua disa ditë më pas, pasi fëmijët denoncuan në polici, se i ati i tyre ishte zhdukur.
Pas vrasjes, ata së bashku me nënën e tyre e groposën trupin e 50-vjeçarit në kasollen pranë banesës.
Të hënën në policinë e Durrësit mbërritën rezultatet e analizave nga laboratori i kriminalistikës, përsa i përket shenjave të gishtërinjve, të gjetura në armën e zjarrit me të cilën u qëllua 50-vjeçari.
Në pistoletë ekspertët kanë gjetur gjurmët e djalit të vogël të familjes, Amarildo Metës, i cili deri më tani ishte përjashtuar nga hetimet si autor i vrasjes.
Shenjat e gishtërinjve janë gjetur në dorezën e pistoletës, ndërsa më herët ai kishte deklaruar se nuk ndodhej në banesë, në momentin kur u vra babai.
Prokuroria madje e ngarkoi vetëm me veprën penale të “Fshehjes dhe asgjesimit të kufomës”.


