Vijojnë fjalimet e protestuesve në shesh/ I riu: Pushteti nuk ka përmbushur kontratën me popullin shqiptar

Aktualitet

Vijojnë fjalimet e protestuesve në shesh/ I riu: Pushteti nuk ka
Në ditën e 75-të të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë vijuar të kërkojnë largimin e qeverisë, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga qëndresa.

Një prej protestuesve tha se 75 ditët e protestës kanë shërbyer, sipas tij, për t’i treguar qeverisë se qytetarët do të vijojnë rezistencën deri në largimin e saj.

Ai kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë qeverisë, duke argumentuar se pushteti nuk ka përmbushur atë që ai e cilësoi si “kontratën me popullin shqiptar”.

“75 ditë qëndresë dhe rezistencë, 75 ditë për t’i treguar këtij pushteti se ne nuk largohemi pa u larguar këta. 75 ditë që ngjallën besimin se Shqipërinë mund ta bëjmë”, u shpreh protestuesi.

Sipas tij, protesta ka nxjerrë në pah atë që ai e konsideron si problemet e qeverisjes, duke akuzuar mazhorancën për krim dhe korrupsion.

“75 ditë për t’i treguar kryeministrit ende në detyrë se ai dhe gjithë qeveria e tij duhet të dorëhiqen, sepse nuk e kanë përmbushur kontratën me popullin shqiptar”, deklaroi ai.

Protestuesi tha gjithashtu se këto 75 ditë kanë ndikuar, sipas tij, në legjitimitetin e pushtetit dhe kanë nxjerrë në pah “fytyrën e vërtetë” të kryeministrit.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të vijojnë qëndresën, duke argumentuar se presioni nuk duhet të ndalet pavarësisht përplasjeve dhe deklaratave politike.

“Ky është momenti që duhet të rezistojmë më shumë. Kjo është arma jonë më e fortë”, përfundoi ai.

ME TE LEXUARAT