VIDEO/ Zjarri në Gramsh del jashtë kontrollit, përfshihen nga flakët 3.5 hektarë sipërfaqe pyjore

Një zjarr i madh ka përfshirë rreth 3.5 hektarë pyje në fshatin Janç Mal, në Njësinë Administrative Tunjë të Gramshit.
Për shuarjen e flakëve janë angazhuar 8 efektivë zjarrfikës dhe 5 punonjës të shërbimit pyjor, ndërsa operacioni po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së rrugëve të aksesit për mjetet zjarrfikëse.
Ekipet janë detyruar të ecin rreth një orë në këmbë për të arritur në zonën e zjarrit, duke transportuar me vete pajisjet e ndërhyrjes.
Duke qenë se ndërhyrja me mjete është e pamundur, po aplikohet metoda e kundërzjarrit, për të krijuar një brez të kontrolluar djegieje që ndihmon në ndalimin e përhapjes së flakëve.
Aktualisht, puna është përqendruar në izolimin e plotë të vatrës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme në sipërfaqe të tjera pyjore.


