Vdekja e foshnjës gjatë trajtimit mjekësor, reagon publikisht Spitali i Vlorës: Kanë qenë dy raste

Aktualitet

Vdekja e foshnjës gjatë trajtimit mjekësor, reagon publikisht

Spitali Rajonal i Vlorës ka reaguar publikisht në lidhje me ngjarjen tragjike ku një foshnjë ka ndërruar jetë në ambientet e spitalit.

Në reagimin publik sqarohet se janë dy raste të cilat po ngaterrohen dhe po keqifnormohet. Sipas Spitalit të Vlorës rasti i nënës e cila ka denoncuar publikisht është i një foshnje 10 muajsh e cila pas trajtimit u largua nga spitali në gjendje të stabilizuar.

Më tej në reagim sqarohet se familja e foshnjës që ka ndërruar jetë nuk ka bërë asnjë ankesë dhe as kallëzim publik apo në polici.

Spitali Rajonal Vlore:

Reagim për publikimet në media lidhur me shërbimin pediatrik në Spitalin Rajonal Vlorë.

Në lidhje me denoncimin e publikuar në media online, sqarojmë opinionin publik se bëhet fjalë për dy raste të ndryshme, të ndodhura të njëjtën ditë në Shërbimin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal Vlorë.

Rasti i parë si në video, për të cilin një nënë ka reaguar publikisht, ka të bëjë me një foshnjë 10 muajshe që është paraqitur në urgjencën pediatrike me temperaturë të lartë. Foshnja është pranuar në dhomën e observimit, është ekzaminuar, i janë vendosur perfuzione dhe ka marrë mjekimin e nevojshëm. Pas trajtimit, foshnja është larguar nga spitali në gjendje të stabilizuar.

Ambienti ku është trajtuar ka qenë dhoma e observimit, një hapësirë funksionale dhe e pajisur me kushtet e duhura mjekësore, jo ambient pas magazinave siç është pretenduar.

Mjeku i turnit ka qenë në shërbim për të gjithë pavijonin pediatrik dhe nuk ka pasur asnjë qëndrim keqdashës apo refuzim për të ofruar ndihmë. Gjithashtu, nuk ka pasur asnjë pengesë në ofrimin e shërbimit mjekësor për foshnjën në fjalë.

Rasti i dytë, i cili nuk ka lidhje me denoncimin e mësipërm, ka të bëjë me një fëmijë të sjellë në gjendje kritike, me shenja konvulsionesh dhe pa frymëmarrje.

Fëmija është pritur menjëherë nga personeli mjekësor, i është dhënë ndihma e parë emergjente, përfshirë masazhi kardiak dhe frymëmarrja artificiale, është vendosur në reanimacion, ka marrë oksigjen dhe mjekim të specializuar. Janë kryer analizat përkatëse, rezonanca e trurit dhe çdo ndërhyrje e mundshme për të shpëtuar jetën e tij.

Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, fëmija ka ndërruar jetë disa orë më vonë. Familjarët nuk kanë paraqitur asnjë ankesë ndaj shërbimit të dhënë. Për këtë rast, janë marrë edhe mostrat biologjike për të përcaktuar shkakun dhe është komunikuar me Institutin e Shëndetit Publik për vijimin e hetimeve epidemiologjike.

 Duke kuptuar shqetësimin e prindërve dhe ndjeshmërinë e çdo rasti që përfshin fëmijë, kërkojmë nga mediat dhe qytetarët që të shmangin keqinformimin dhe përhapjen e lajmeve të pasakta që dëmtojnë figurën dhe përkushtimin e mjekëve, të cilët punojnë çdo ditë me përgjegjësi të lartë për të garantuar kujdesin më të mirë të mundshëm për pacientët e vegjël.

 

ME TE LEXUARAT