Varri masiv në Permet, reagon Meta: Të zbardhet me transparencë e vërteta

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për zbulimin e një varri masvi në Përmet. Përmes një postimi në Facebook, Meta shkruan se qeveria duhet që të zbardhë të vërtetën.
“U njoha për zbulimin në Përmet, sipas të dhënave paraprake, të një varri masiv, ku dyshohet se prehen viktima të represionit dhe terrorit të diktaturës. I nxis institucionet përgjegjëse shtetërore për zbardhjen me transparencë dhe ndriçimin e së vërtetës.
Të ekzekutuarit padrejtësisht dhe martirët e pafajshëm meritojnë një vendprehje dinjitoze, respektin e plotë dhe nderimin e duhur shtetëror. Theksoj me forcë domosdoshmërinë, jo vetëm të dënimit të krimeve monstruoze të diktaturës, por edhe gjendjen e të gjitha viktimave të atij regjimi mizor, në mënyrë që shpirtrat e tyre të pushojnë në paqe duke u dhënë njëherë e mirë qetësi dhe ngushëllim familjarëve e pasardhësve të tyre, por edhe të gjithë shoqërisë”, shkruan Meta.


