Vapa në Pallatin e Drejtësisë pengon seancat, sistemi i klimës vazhdon të shkaktojë telashe

Aktualitet

Vapa në Pallatin e Drejtësisë pengon seancat, sistemi i

Mbajtja e seancave në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë po bëhet gjithnjë e më e vështirë për shkak të temperaturave të larta në sallat gjyqësore, ndërsa në disa raste kjo situatë ka çuar edhe në shtyrjen e tyre.

Shkaku kryesor i kësaj gjendjeje mbetet mosfunksionimi siç duhet i sistemit të klimatizimit. Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, rregullimi i plotë i këtij problemi kërkon shpenzime të mëdha, raporton KosovaPress.

Për këtë çështje ka reaguar edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Besim Spahiu, i cili për KosovaPress ka thënë se ka zhvilluar takime me menaxhmentin e gjykatës, sekretariatin dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Sipas tij, pas kërkesave të paraqitura, është bërë vetëm një ndërhyrje e vogël në sistemin e klimatizimit.

“Me datë 10 qershor i jam drejtuar me shkrim menaxhmentit të gjykatës, sekretariatit dhe Këshillit Gjyqësor për mungesë të klimatizimit por nga ta nuk marrë asnjë përgjigje, kurse me datë 17 kam shkuar në Këshill Gjyqësor për të kërkuar sqarim rreth problemit ku u takova me kryesuesin e këshillit dhe më informojnë se kanë angazhuar një ekip për sanimin e problemit të klimatizimit dhe më premtojnë se brenda 20 ditësh do të rregullohet klimatizimi në një masë të konsiderueshme, pasi që për sanimin e plotë duhet kohë dhe mjete buxhetore të cilat për momentin nuk i kanë në dispozicion. Me 25 qershor kemi një sanim të vogël të klimatizimit. Unë si kryetar i sindikatës më 1 korrik jam drejtuar me kërkesë zyrtare menaxhmentit të gjykatës dhe KGJK-së duke kërkuar reduktimin e përkohshëm të orarit të punës. E përshëndes vendimin e KGJK-së, presim që këto masa të zbatohen sa më shpejt. Unë deri më tani nuk kam pranuar ndonjë njoftim zyrtar për këtë vendim”, tha Spahiu.

Për pasojat që po sjell kjo situatë në praktikë ka folur edhe avokati Arbër Jashari.

Ai ka treguar se gjatë kësaj jave një seancë e planifikuar të zhvillohej gjatë gjithë ditës në departamentin e të miturve nuk ka mundur të vazhdojë për shkak të kushteve të rënda në sallë, madje njëra nga palët është alivanosur. Si pasojë, seanca është shtyrë për një ditë tjetër.

Jashari ka bërë të ditur gjithashtu se Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka shtyrë pothuajse të gjitha seancat që janë vlerësuar si jo urgjente.

Sipas tij, shtyrja e seancave prek drejtpërdrejt të drejtat e palëve në procedurë penale dhe sjell shkelje të këtyre të drejtave.

“Hiç më larg se këtë javë e kishim një seancë që ishte e paraparë të mbahet gjatë gjithë ditës në departamentin për të mitur, por kur erdhi mesi i ditës ishte e pamundshme të qëndrohet në ato salla. Nuk është e lehtë si avokatia apo çështja e përcjelljeve të seancave, do shumë koncentrim, të jemi gjatë gjithë kohës në komoditet dhe temperaturat e larta e bëjnë të pamundur që truri të veproj. Siç thashë gjatë sesionit të pasdites, njëra prej palëve gati sa nuk u alivanos nga temperaturat e larta, ai objekt ka probleme edhe me ajrosjen, prania e oksigjenit në ato objekte është më e vogël sesa duhet.. Departamenti special i Gjykatës Themelore, pothuajse i ka shtyrë të gjitha seancat të cilat nuk janë urgjente.. 3:45 Shtyrja e seancave ndikon drejtpërdrejt në të drejtat e palëve në procedurë penale. Sa herë që një seancë shtyhet të drejtat e dikujt shkelën, të pandehurve kur janë në masën e paraburgimit, të drejtat e palës së dëmtuar”, tha Jashari.

Nga ana tjetër, zëdhënësja për media në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka deklaruar me shkrim se së fundi është vërejtur një përmirësim i situatës me temperaturat në sallat gjyqësore dhe se, për momentin, gjykata nuk e konsideron të nevojshëm reduktimin apo pezullimin e punës.

“Gjykata Themelore në Prishtinë është në dijeni për vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me të cilin kryetarët e gjykatave autorizohen të ndërmarrin masa për reduktimin ose pezullimin e punës, nëse paraqitet nevoja si pasojë e temperaturave të larta. Megjithatë, në Pallatin e Drejtësisë, gjatë dy ditëve të fundit, është vërejtur një përmirësim i gjendjes sa i përket temperaturave në ambientet e punës, përkatësisht sistemi i klimatizimit ka filluar të funksionojë. Në këto rrethana, Gjykata aktualisht nuk e vlerëson të arsyeshme ndërmarrjen e masave për reduktimin ose pezullimin e punës. Megjithatë, Gjykata do të monitorojë në vazhdimësi situatën dhe, nëse paraqitet nevoja, do të zbatojë masat e përcaktuara në vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë së gjyqtarëve, stafit administrativ dhe palëve”, thuhet në përgjigje.

Të hënën, Këshilli Gjyqësor i Kosovës u ka dhënë autorizim kryetarëve të Gjykatave të Supremes, Apelit, Administratives, Komerciales dhe Themelores në Prishtinë që të marrin masa për shkak të temperaturave të larta që po mbizotërojnë në Pallatin e Drejtësisë.

Në vijim, vendimmarrja për reduktimin ose pezullimin e punës mbetet në duart e kryetarëve të gjykatave që veprojnë në Pallatin e Drejtësisë, në varësi të vlerësimit të tyre.

ME TE LEXUARAT