Ulet kërkesa në ankandet e bonove, por yield-et ngelen sërish të ulëta

Aktualitet

Ulet kërkesa në ankandet e bonove, por yield-et ngelen sërish

Kërkesa e investitorëve në ankandet e bonove të thesarit ka pësuar një rënie në ankandet e fundit, por as kjo nuk ka mjaftuar për të sjellë një rritje të rëndësishme të yield-eve.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në ankandin e kësaj jave të bonove 12-mujore yield-i mesatar i ponderuar rezultoi në nivelin 2.43%, nga 2.42% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Nga 10.5 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave në ankand nuk arriti më shumë se 7.16 miliardë lekë. Pavarësisht mosplotësimit të shumës, rritja e yield-it ishte shumë e vogël dhe duket se për momentin tendencat e tregut duken për ruajtjen e niveleve të ulëta të tyre.

Në dy ankandet e fundit të bonove 12-mujore, është vërejtur një rënie në kërkesën e investitorëve. Kjo mund të lidhet me uljen e ndjeshme të yield-eve, por edhe me faktin se tremujori i parë i vitit ka edhe përqendrimin më të lartë të huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm.

Yield-et e bonove të thesarit ngelen poshtë nivelit të normës bazë të interesit si edhe në rënie me bazë vjetore. Një vit më parë yield-i i bonove 12-mujore kishte qenë në nivelin 2.77%.

Në terma relativë, të matura në raport me normën bazë të interesit, yield-et madje ndodhen pranë niveleve më të ulëta historike. Rënia e yield-eve mund të shpjegohet në një masë të madhe me likuiditetin e lartë në tregun e brendshëm financiar.

Deri tani, as rritja sezonale e kërkesës për financim nga qeveria shqiptare në tregun e brendshëm financiar nuk ka sjellë presione të mirëfillta për rritjen e yield-eve të titujve qeveritarë. Yield-et e ulëta po përcaktojnë kosto më të ulët për huamarrjen e qeverisë, por po orientojnë në ulje edhe normat e interesit të kredisë për sektorin privat.

Bonot 12-mujore janë edhe instrumenti kryesor referues për përcaktimin e interesave të kredisë afatgjatë për sektorin privat. Yield-et e ulëta të bonove 12-mujore reflektohen në norma më të ulëta për kreditë interesa të ndryshueshme në Lekë.

Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në Lekë në dhjetor të vitit të kaluar ishte 4.19%, nga 4.52% që kishte qenë një vit më parë. Norma mesatare e interesit të kredive për shtëpi ka zbritur në nivelet më të ulëta që prej mesit të vitit 2022.

Normat e ulëta të interesit vazhdojnë të favorizojnë rritjen me ritme të larta të kredisë për ekonominë.

Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të vitit 2025 arriti vlerën e 943.5 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 12.9%. Rritja e portofolit u përshpejtua më tej, krahasuar me rritjen prej 12.3% të vitit 2024, duke shënuar rritjen më të lartë në 16 vitet e fundit./Monitor

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion