U përplas nga një makinë, në gjendje kritike për jetën shoferi i mjetit bujqësor në Shijak

Policia e Durrësit ka njoftuar mëngjesin e sotëm se një 36-vjeçar në gjendje të dehur është përplasur me një mjet bujqësor, duke shkaktuar plagosjen e rëndë të shoferit të kësaj të fundit. Shtetasi I.V, njofton policia, është në gjendje të rëndë për jetën, ndërsa shoferi i makinës ka rënë në pranga.
“Durrës/ Vihet në pranga një shtetas, i cili shkakton aksident duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasin M.K., 36 vjeç, banues në Tiranë, pasi në aksin rrugor Gjiri i Lalzit - Maminas, në fshatin Rrotull, Shijak, duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “BMË” është përplasur me mjetin bujqësor, motokarro, pa targa, me drejtues shtetasin I.V., 36 vjeç, banues në Durrës.
Për pasojë, shtetasi i mësipërm ndodhet në Spitalin e Traumës Tiranë në gjendje serioze për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme”, njofton policia.


