U kapën me kokainë me vlerë 29 000 mijë euro, arrestohen dy shqiptarë në Itali
Policia italiane arrestoi dy shqiptarë, të moshës 38 dhe 31 vjeç, për posedim me qëllim tregtimin e kokainës. Një nga dy personat e ndaluar është banor i provincës së Komos. Hetuesit, në kuadër të një operacioni me qëllim ndalimin e trafikut të drogës, kanë marrë informacione lidhur me praninë e dyshimtë të disa makinave në një rrugë periferike të qytetit.
Oficerët u vendosën për të verifikuar informacionin dhe vunë re mbërritjen e një furgoni në të cilin, sapo u ndal, hyri një burrë nga pallati aty pranë, i cili mbante me vete një qese plastike. Policia ka ndërhyrë dhe ka bllokuar automjetin dhe pasagjerët. Gjithashtu shqiptari ka tentuar të arratisej në këmbë, por është kapur nga policia.
Gjatë kontrollit në makinë është gjetur drogë me vlerë 29 000 mijë euro. Ndërsa nga kontrolli i kryer në banesën e drejtuesit të mjetit është bërë e mundur edhe gjetja dhe sekuestrimi i gati dy kg kokainë, si dhe materiale të ndryshme të përdorura për peshimin dhe paketimin e lëndës narkotike.