U kap në makinë me Ergys Agasin: Uljan Shpatarakut i hiqet leja e armës, i sekuestrohet arsenali në banesë

Uljan Shpatarakut, ish-zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, i është hequr leja e armës, ndërsa gjatë kontrolleve në banesën e tij janë sekuestruar disa armë që i mbante me leje.
Shpataraku u arrestua më 26 gusht në zonën e Plepave në Durrës, pasi u kap duke drejtuar automjetin me të cilin udhëtonte Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga drejtësia. Ish-zyrtari i policisë tashmë akuzohet për veprën penale “Përkrahje të autorit të krimit”.
Ai u përjashtua nga Policia e Shtetit disa javë më parë dhe pas kësaj, ndaj tij nisën procedurat për heqjen e lejes së armës që zotëronte për shkak të funksionit.
Gjatë procedurave, autoritetet zbuluan se ish-zyrtari, i njohur si krahu i djathtë i ish-kryepolicit Ilir Proda, mbante në banesë edhe një arsenal armësh, të cilat rezultojnë se i kishte me leje.
Bëhet fjalë për 3 pistoleta, 2 armë tip shotgun dhe 2 pushkë, të cilat tashmë janë sekuestruar nga autoritetet.
Sipas gazetares Xhensila Kodra, mbetet për t’u parë nëse SPAK do ta hetojë Shpatarakun si pjesë të grupit kriminal të “shefit” të tij, Ergys Agasit, i arrestuar gjatë një operacioni të koordinuar mes BKH-së dhe Policisë së Shtetit.
Po ashtu, për Shpatarakun ka indicie se ka pasur precedent penal në të kaluarën jashtë vendit, të cilin nuk e ka deklaruar, por që kërkon një hetim të thelluar nga autoritetet.


