U falsifikuan firmat, Gjykata e Lartë pezullon punimet për HEC-et në Valbonë

Aktualitet

U falsifikuan firmat, Gjykata e Lartë pezullon punimet për HEC-et

Gjykata e Lartë ka vendosur sot pranimin e padisë së 27 banorëve të Dragobisë dhe shoqatës TOKA në lidhje me dokumentin me firma të falsifikuara për ndërtimin e hidrocentraleve nga Dragobia Energy dhe Gener 2 në Parkun Kombëtar të Valbonës. 

Trupi gjykues i Kolegjit Administrativ i përbërë nga Sokol Sadushi, Ilir Panda, Sokol Binaj vendosi në dhomë këshillimi pezullimin e kontratës së koncesionit dhe shtesave të saj dhe lejeve të përmendura në pikat 3-6 të objektit të kërkesëpadisë, deri në zgjidhjen përfundimtare të cështjes me vendim të formës së prerë.

Çështja e listës së emrave të falsifikuar ka nisur që në vitin 2016, kur kompania ndërtuese e hidrocentraleve paraqiti si dëshmi për të justifikuar ndërtimin e hidrocentraleve një listë me emra të banorëve të cilët ishin pro ndërtimit.

Banorët denoncuan falsifikimin e procesverbaleve të konsultimit me publikun. Sipas këtij procesverbali banorët ishin dakord për ndërtimin e HEC-eve, por ata e kundërshtojnë këtë pohim. Në listën e personave që kishin firmosur u vu re se kishte edhe individë të cilët kishin vdekur më herët se sa mbajtja e procesverbalit, ashtu sikundër kishte të tjerë që e mohonin se kishin qenë të pranishëm për të firmosur.

Banorët dhe shoqata TOKA vendosën ta dërgojnë këtë çështje në gjykatë. Padia u krye në Gjykatën e Tropojës, e më pas në Gjykatën e Apelit në Shkodër, por të dyja këto Gjykata nuk morën përsipër që të jepnin një vendim për çështjen. Gjykata e Tropojës e dërgoi çështjen në gjykatën e Tiranës, por edhe Gjykata e Tiranës nuk e mori përsipër.

Në mars të vitit 2018, shoqata Toka dhe 30 banorë ngritën padi penale kundër kryeplakut Adem Metaliaj dhe administratorit “DE”, Artila Ulaj, pasi kanë konfirmuar se “nënshkrimet “ e të vdekurve ishin të vlefshme dhe këta njerëz kishin marrë pjesë në konsultimet publike.

ME TE LEXUARAT