U ekzekutua në Vaun e Dejës, 65-vjeçari u dënua me 25 vite burg për vrasjen e kushëririt, u lirua dy vite më parë

Vrasja me armë zjarri e ndodhur ne orët e vona të mbrëmjes së sotme, në Vaun e Dejës në Shkodër po hetohet nga policia.
Ngjarja e rëndë u raportua rreth orës 21:00, në fshatin Paçram dhe policia e konfirmoi gjetjen e një trupi të pajetë, i cili dyshohej se ishte qëlluar me armë zjarri.
Viktima është identifikuar si Frrok Lleshaj, 65 vjeç, kurse forca të shumta policie shkuan në vendngjarje. Ai mësohet se ka qenë më parë i dënuar për krimin e vrasjes së kushëririt të tij Dodë Lleshaj, ndaj edhe pista kryesore e hetimit mbetet ajo e një gjakmarrjeje të mundshme.
Gjykata e Shkodrës e kishte dënuar me 25 vite burgim në vitin 2006, izolim që e kishte përfunduar dy vite më parë, kur ishte liruar nga qelia.
“Në Vau i Dejës, në rrugë është gjetur pa shenja jete shtetasi F. Ll., 65 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri. Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje”, tha policia vendore.
Pas daljes nga burgu, 65-vjeçari ishte braktisur nga familja e tij, gruaja dhe fëmijët. Lleshaj jetonte i vetëm dhe merrej me blegtori.
Paraprakisht bëhet me dije se 65-vjeçari ka qenë duke ecur në rrugët e fshatit Paçram mbrëmjen e sotme kur është qëlluar me armë zjarri dhe shkak dyshohet hakmarrja. Trupi i tij u gjet nga një kalimtar i rastësishëm, që informoi menjëherë policinë.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, po punon për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve.
Frrok Lleshaj, 65 vjeç, sipas dosjes hetimore dhe vendimit të gjykatës, rezulton se ka vrarë kushëririn e tij Dodë Lleshaj më shumë se dy dekada më parë.
Për këtë krim ai ishte dënuar me 25 vite burgim, të cilin e kishte përfunduar vetëm dy vite më parë, duke u liruar në mesin e muajit prill 2023.
“Me vendim nr.37, datë 17.03.2006, të Gjykatës Shkodër, dënuar 25 vite burgim për vrasje me dashje dhe është liruar më datën 16.03.2023 nga IEVP Shkodër”, thuhet në dosje.
Lleshaj u gjet sot në mbrëmje i pajetë në rrugën e fshatit, teksa po ecte. Policia po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes.


