U arrestuan për ndërtim e një TEC-i të paligjshëm në pronë publike, lirohen drejtuesit e “Delvina Gaz”

Janë lënë të lirë drejtori Luan Metaj dhe inxhinieri Elton Malkaj të kompanisë “Delvina Gaz”, të cilët u arrestuan një ditë më parë nga Policia e Vlorës, pas dyshimeve për ndërtimin e një impianti gazi (TEC) në pronë publike, pa leje ndërtimi apo zhvillimi. Vendimi për lirimin e tyre është marrë nga prokurorja Esmeralda Basho.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë një kontrolli të zhvilluar në Delvinë nga Seksioni i Krimit Ekonomik në bashkëpunim me IKMT dhe Inspektoratin e Mjedisit, u konstatua një ndërtim prej 2000 m² që dyshohet të jetë impiant energjetik, i ndërtuar në mënyrë të paligjshme.
Fillimisht u arrestuan Metaj dhe Malkaj, ndërsa u shpallën në kërkim pronari i kompanisë, S.M., 56 vjeç, dhe administratori Jugelard Ibrahimi, 36 vjeç. Ata akuzohen për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Pushtim toke”.
Nga ana tjetër, kompania “Delvina Gas Company” ka reaguar publikisht duke mohuar akuzat. Sipas tyre, objekti nuk është një TEC, por një impiant pastrimi i gazit, i ndërtuar tre vite më parë dhe i integruar si pjesë e pusit ekzistues në vendburimin e Delvinës. Sipas deklaratës, dy inxhinierët e arrestuar ishin të angazhuar vetëm në mirëmbajtjen e impiantit dhe jo në ndonjë ndërtim të ri.
IKMT ka përpiluar procesverbal për shkeljet dhe ka bllokuar punimet. Materialet janë dërguar në Prokurorinë e Sarandës për hetime të mëtejshme. Policia e Vlorës theksoi se do të vijojë kontrollet për të goditur çdo rast të ndërtimeve të paligjshme që cënojnë territorin dhe mjedisin.


