Hodhën molotovë drejt Kryeministrisë, Gjykata jep vendimin për protestuesit

Katër protestues të Partisë Demokratike, të arrestuar gjatë protestës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet, do të paraqiten me detyrim para autoriteteve.
Këtë masë e ka kërkuar prokuroria e kryeqytetit, ndërsa autoritetet kanë vendosur që të mos i mbajnë ata në paraburgim, por të monitorohen nëpërmjet detyrimit për t’u paraqitur rregullisht pranë organeve të drejtësisë.
Ngjarja ndodhi gjatë protestës së organizuar nga PD-ja, ku qytetarët u mblodhën për të shprehur pakënaqësinë ndaj skandaleve të qeverisë.
Policia njoftoi një ditë më parë se kishte vënë në pranga 4 protestues pasi hodhën molotov dhe kundërshtuan uniformayt blu, 7 të tjerë u proceduan penalisht. Po ashtu, policia tha se kishte nisur hetim edhe për Ervin Minarollin, me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike.
Nga protesta mbetën të lënduar tre punonjës policie, të cilët morën mjekim në spital, si edhe një simpatizant i opozitës që u përfshi nga flakët e lëndës djegëse.


