Trafiku i armëve drejt Britanisë, kush ishin dy ‘bosët’ që organizonin çdo gjë dhe si funksiononte rrjeti kriminal

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin në ngarkim të të pandehurve Adulla Hoxhaj, Rifat Avdiaj, Admir Tutaj, Almir Gjidiaj, Alban Gjidiaj dhe Bojken Turtulli, të akuzuar për trafikim armësh nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Por si vepronte dhe nga kush drejtohej?
Në njoftimin publik SPAK ka sqaruar me detaje të gjithë veprimtarinë e grupit të strukturuar kriminal, që ishte i ndarë në dy nëngrupe, një që vepronte në Mbretërinë e Bashkuar dhe një në Shqipëri. Sipas SPAK, grupi kriminal në Shqipëri kishte drejtues, Adulla Hoxhaj dhe pjesëmarrës Rifat Hoxhaj, Bojken Turtulli, Franko Gjalpi (i gjykuar dhe shpallur fajtor më herët).
Ndërsa grupi kriminal në Mbretërinë e Bashkuar kishte Almir Gjidiaj dhe pjesëmarrës Admir Tutaj dhe Alban Gjidiaj. Nga analizimi i të gjitha fakteve thotë SPAK, dhe rrethanave ka rezultuar e provuar se i pandehuri, Adulla Hoxhaj është drejtues i nëngrupit, i cili ka vepruar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Ai ka koordinuar veprimet me anëtarët e tjerë të grupit në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërsa, të pandehurit: Bojken Turtulli dhe Rifat Avdija, si dhe bashkëipandehuri Franko Gjalpi, kanë luajtur rolin e ndihmësit në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal. Gjithashtu, ka rezultuar e provuar se i pandehuri tjetër Almir Gjidiaj, është drejtues i nëngrupit, i cili ka vepruar në Mbretërinë e Bashkuar. Ai ka koordinuar veprimet e anëtarëve të tjerë të grupit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shqipëri.
I pandehuri Admir Tutaj, është njëri prej pritësve të porosive në Mbretërinë e Bashkuar si edhe person i besuar i të pandehurit tjetër Alban Gjidiaj, të cilët kanë patur rolin e ndihmësve në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.


