“Toyota Auris”/ Dënohet Radovan Çela, GJKKO cakton 4 vite heqje lirie për avokatin

Aktualitet

“Toyota Auris”/ Dënohet Radovan Çela, GJKKO cakton 4

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 4 vite burgim avokatin Radovan Çela, i cili akuzohet për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë në dosjen “Toyota Yaris”.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi 6 vite burgim për Çelën, ndërsa GJKKO ka vendosur ta dënojë me 4 vite burgim, ndërsa nga përfitimi i gjykimit të shkurtuar, është dënuar me 2 vite e 8 muaj burg.

Kujtojmë që Radovan Çela është vetëdorëzuar në polici më datë 5 mars teksa ishte shpallur në kërkim kohë më parë. Radovan Çela ka qenë avokat i Alfred dhe Elvis Vladi, të arrestuar në vitin 2018 pas sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit, si pjesë e të ashtuquajturës dosja “Toyota Yaris”.

Dosja “Toyota Yaris” lidhet me bllokimin e bujshëm të 3.4 milionë eurove në qershor të vitit 2018 në portin e Durrësit, një dosje që u hetua fillimisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pastrim parash, por pas disa piruetave procedurale u transferua në Prokurorinë e Tiranës dhe u mbyll me akuzën e “mosdeklarimit të të hollave në kufi”.

Një vit më parë, Prokuroria e Posaçme doli me njoftim zyrtar në lidhje me dosjen “Toyota Yaris” ku gjatë operacionit u arrestua kryeprokurori i Vlorës Aurel Zarka, si dhe njoftoi masën e sigurisë për avokatin Radovan Çela, i cili u vetëdorëzua, magjistraten Eriona Dautaj dhe shtetasin Astrit Vladi.

Nga provat e mbledhura gjatë hetimeve paraprake të këtij procedimi penal rezultoi se personat nën hetim Astrit Vladi, Radovan Çela, Eriona Dautaj dhe Aurel Zarka, në bashkëpunim dhe në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe kanë pranuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të funksionarëve të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive për secilin prej tyre.

 

ME TE LEXUARAT