Teza përfundoi sërish në internet, reagon Ministria e Arsimit: Procesi është duke u zhvilluar sipas standarteve

Aktualitet

Teza përfundoi sërish në internet, reagon Ministria e Arsimit:

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar pasi teza e provimit të Matematikës përfundoi në rrjetet sociale.

Përmes një njoftimi zyrtar ministrja thekson se provimi është duke u zhvilluar sipas standardeve të sigurisë dhe se procesi është duke vijuar i qetë dhe i rregullt.

Më tej ministria qetëson prindërit e maturantëve duke shtuar se publikimi i tezës së provimit pasi nxënësit kanë nisur testimin nuk ndikon në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit.

“Provimi i Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës, po zhvillohet në përputhje të plotë me standardet e sigurisë të përcaktuara në rregulloren përkatëse dhe publikimi i tezës së Matematikës pas nisjes së provimit nuk cenon procesin.

Ministria e Arsimit dhe Sportit garanton të gjithë maturantët dhe opinionin publik se në 145 qendra provimi në të gjithë vendin testimi po vijon në një atmosferë të qetë dhe të sigurt, duke u dhënë mundësi të 27 mijë maturantëve të demonstrojnë njohuritë dhe aftësitë në lëndën e Matematikës.

Vëmë dhe njëherë theksin se publikimi i tezës së provimit pasi nxënësit kanë nisur testimin, nuk ndikon në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit.

Ministria dhe strukturat arsimore kanë ndërmarrë një sërë masash paraprake për të siguruar zhvillimin e drejtë dhe të barabartë të procesit të Maturës Shtetërore, përfshirë: mbikëqyrjen e ambienteve të provimit përmes kamerave të sigurisë, trajnimin e administratorëve, kontrollin e rreptë të hyrjes dhe daljes, si dhe krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për të reduktuar stresin te maturantët për të arritur rezultate të merituara.

Këto masa garantojnë një proces të besueshëm, transparent dhe të drejtë për të gjithë”, thuhet në reagimin e ministrisë.

 

ME TE LEXUARAT