“Të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, zbardhet raporti i Komisionit të Venecias për Olta Xhaçkën

Është zbardhur raporti i Komisionit të Venecias në lidhje me mandatin e ish-ministres, tashmë deputetes Olta Xhaçka.
Në vendimin e Komisionit të Venecias thuhet se të gjitha autoritetet janë të detyruara të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushteteuese.
“Si rezultat i njohjes kushtetuese të natyrës detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të gjitha autoritetet janë të detyruara t'i zbatojnë këto vendime dhe t'i zbatojnë ato në mënyrë efektive. Pajtueshmëria e të gjitha autoriteteve me vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohet në parimin e besnikërisë kushtetuese si element i shtetit të së drejtës.
Një pajtueshmëri e tillë nuk duhet të kushtëzohet me votën e shumicës parlamentare, por është një kërkesë thelbësore e shtetit të së drejtës. Vetë qëllimi i Gjykatës Kushtetuese është të kufizojë shkeljet e mundshme të ligjvënësit ose pushteteve të tjera shtetërore. Parlamenti nuk mund t'i referohet parimit të ndarjes së pushteteve për të refuzuar respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në kuadrin e kompetencave që i jep Kushtetuta.
Në dritën e sa më sipër, pyetjet numër 1 dhe 3 duhet të të mos shihet si çështje e mandatit të lirë, pasi nuk mund të ketë diskrecion politik për respektimin dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në rastin konkret nga i cili u ngrit kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka marrë dy vendime dhe zbatimi efektiv i këtyre vendimeve nuk duhet të kushtëzohet me votim apo shumicë parlamentare”, thuhet ndër të tjera në raport.
Gjykata Kushtetuese, shfuqizoi në korrik vendimin e parlamentit i cili refuzonte dërgimin në këtë gjykatë të mocionit të opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Në muajin prill, socialistët e interpretuan votën e tyre me faktin se pavarësisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim, deputetët, sipas kushtetutës janë të lirë në vendimmarrjen e tyre.
Pikërisht për këtë çështje, parlamenti kërkoi, nga Gjykata Kushtetuese, që t’i drejtohej Komisionit të Venecias për të sqaruar ndër të tjera se “bazuar në parimet e demokracisë parlamentare përfaqësuese, a mund të detyrohen deputetët që të votojnë në një mënyrë të caktuar? Nëse ka përjashtime të tilla, cilat janë ato dhe a kanë lidhje me rastin e mocioneve për pajtueshmërinë e mandatit të një deputetit?”. Por kërkesa për të përfshirë komisionin e Venecias u rrëzua nga Gjykata.
Siç shpjegoi më 10 korrik kryetarja Holta Zaçaj, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se “deputetët duhet të votojnë në përputhje me urdhërimin e Gjykatës, pasi ky votim nuk është një procedurë e zakonshme parlamentare dhe si e tillë nuk ka të bëjë me parimin e mandatit jodetyrues të deputetit, por është në kuadër të ekzekutimit të vendimit të Gjykatës”.
Kryetarja e Gjykatës përsëriti nga ana e saj, se “vendimi është shumë i qartë. Askush nuk mund të vendosë të mos ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Fuqia e vendimeve të saj është e barabartë me fuqinë e ligjit. Të mos zbatosh vendimin e Gjykatës Kushtetuese, do të thotë të mos zbatosh kushtetutën dhe ligjin”.
Çështja e mandatit të zonjës Xhaçka u ende për gati dy vitesh mes parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese. Pikëpyetjet mbi rastin e Xhaçkës, lindën pasi kompania e bashkëshortit të saj, Artan Gaçi, mori statusin e investitorit strategjik për një hotel turistik, gjë e cila sipas opozitës përbën konflikt interesi. Çështja mori sërish vëmendje pasi pak muaj më parë Gjykata e Posaçme vuri nën sekuestro mbi 10 mijë metra katrorë sipërfaqe mbi të cilën parashikohet të ngrihet hoteli.
Trualli i blerë nga zoti Gaçi, prej personave privatë, rezulton të jetë përfituar prej këtyre të fundit, përmes falsifikimit të dokumentave dhe se sipërfaqja ka qenë në pronësi të shtetit. Më herët, pikërisht për dyshimet mbi pronësinë e kësaj sipërfaqejeishte arrestuar dhe ish kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro.


