Të maskuar me kapele dhe maska, rrahën 48-vjeçarin në Tiranë, arrestohen dy persona, në kërkim katër të tjerë

Aktualitet

Të maskuar me kapele dhe maska, rrahën 48-vjeçarin në

Policia e Tiranës ka përfunduar operacionin e koduar “Details” në lidhje me një sulm të dhunshëm të ndodhur më 5 janar 2025, ku u plagos 48-vjeçari Adriatik Roshi në një berberhanë në rrugën “29 Nëntori”. Si rezultat, janë arrestuar dy persona dhe janë shpallur në kërkim katër të tjerë.

Dy të ndaluarit, Gani Koçeku 24 vjeç dhe Ledio Tusha 31 vjeç, u kapën në flagrancë, ndërsa në kërkim janë shpallur Luçiano (Tur), Gëzim, Ronald dhe Dino (Abedin) Koçeku. Autorët dyshohet se sulmuan Roshin për motive të dobëta, duke e goditur me sende të forta.

Sakaq, policia ka sekuestruar gjatë operacionit, një armë zjarri pistoletë me leje, e gjetur në banesën e Ledio Tushës, një armë gjahu, e zbuluar në banesën e Dino Koçekut, dy automjete të përdorura gjatë ngjarjes si dhe veshjet që dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë sulmit, të cilat u gjetën në një nga automjetet.

Adriatik Roshi, i cili u sulmua në berberhanë, ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve në spital. Hetimet për ngjarjen vazhdojnë, ndërsa materialet e çështjes i janë dorëzuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i policisë:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Details”. 

Identifikohen 6 shtetasit që goditën me sende të forta, një 48-vjeçar, në një berberhane, 2 ditë më parë. Vihen në pranga 2 prej tyre, punohet për kapjen e 4 të tjerëve.    

Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu, që i posedonin këta shtetas, 2 automjete dhe disa veshje që kanë mbajtur autorët gjatë ngjarjes.  

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të një konflikti të ndodhur më datë 05.01.2025, si pasojë e të cilit u dëmtua më sende të forta shtetasi A. R., 48 vjeç, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, Komisariati i Policisë Nr. 3 ka finalizuar operacionin e koduar “Details”.

Si rezultat i këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. K., 24 vjeç dhe L.T, 31 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. K., L.(A.). K., G. K. dhe D.(A.). K.    

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 05.01.2025, në një berberhane, në rrugën “29 Nëntori”, kanë goditur me sende të forta, dyshohet për motive të dobëta, shtetasin A. R., 48 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.        

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:    

1 armë zjarri pistoletë, me leje, që u gjet në banesën e shtetasit L. T.;      

1 armë gjahu, që u gjet në banesën e shtetasit D. K.; 

2 automjete që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje;

Veshje që dyshohet se kanë mbajtur autorët gjatë ngjarjes, të cilat u gjetën në njërin prej këtyre automjeteve.     

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

 

 

ME TE LEXUARAT