SPAK kërkon arrestimin e Ahmetajt/ Shtyhet për të mërkurën mbledhja e Keshillit të Mandateve

Është shtyrë për të mërkurën mbledhja e Këshillit të Mandateve sa i përket kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e ish ministrit Arben Ahmetaj. Më herët, avokatërt mbrojtës të Ahmetajt deklaruan se ai nuk ndodhet për momentin në Shqipëri.
Avokatët e Arben Ahmetaj gjithashtu kërkuan shtyrjen e mbledhjes dhe kërkuan kohë për mbrojtjen.
Kujtojmë se më herët është ndërprerë një herë seanca në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku prej më shumë se 4 orësh po diskutohet heqja ose jo e imunitetit të Arben Ahmetajt, pas kërkesës së SPAK për ta arrestuar.
Opozita ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura, por ka pasur replika nga ana e maxhorancës.
Deputeti Ervin Salianji mësohet se i është drejtuar deputetes së PS Ermonela Felajt duke i thënë se është në konflikt interesi dhe ndaj e kërkon mbledhjen me dyer të mbyllura.
“Je e përfshirë njësoj dhe je pjesë e dosjes dhe prandaj e kërkon të mbyllur mbledhjen”, është shprehur ai.
Në këtë moment është kërkuar dhe ndërprerja e mbledhjes për 5 minuta. Pas disa minutash mbledhja ka rinisur, por në fokus të debatit ka vijuar e njëjtat temë, për mbledhje me dyer ta hapura apo të mbyllura, ndërsa ende nuk është bërë asnjë diskutim për thelbin e çështjes, imunitetin e Ahmetajt.


