SPAK çon në gjyq avokatin Bardhi Koçi/ Kërkoi 4 mijë € ryshfet për të ndikuar tek gjyqtari

Aktualitet

SPAK çon në gjyq avokatin Bardhi Koçi/ Kërkoi 4

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen penale në ngarkim të avokatit Bardhi Koçi dhe shtetases Pranvera Meshi, të cilët akuzohen për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Bardhi Koçi, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte i punësuar si auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit, akuzohet për tre episode të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm. Ndërsa Pranvera Meshi akuzohet për të njëjtën vepër në një episod.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve, ka dërguar për gjykim, më datë 5 gusht 2025, procedimin penal nr. 229/1 viti 2021, në ngarkim të të pandehurve:

1. Bardhi Koçi, i akuzuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” për tre episode, sipas nenit 245/1 paragrafi 4 të Kodit Penal.
2. Pranvera Meshi, e akuzuar për të njëjtën vepër penale, sipas nenit 245/1 paragrafi 2 të Kodit Penal.



Procedimi penal nr. 229 u regjistrua më 27 gusht 2021 mbi bazën e akteve të dërguara nga Policia Gjyqësore. Në këtë procedim përfshihen edhe akuzat për “Shpërdorim detyre”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të Kodit Penal.

Sipas hetimeve, Bardhi Koçi ka kërkuar ryshfet në shumën prej 4 mijë eurosh me qëllim ndikuar tek një gjyqtar, duke ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.

SPAK konfirmon se pas mbylljes së hetimeve, çështja i ka kaluar gjykatës për veprime të mëtejshme ligjore.

ME TE LEXUARAT