Mbante armë zjarri me municion, pranga policie dhe kapuç për maskim, arrestohet 21 vjeçari

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Kryqëzimi”, në kuadër të goditjes së armëmbajtjes pa leje dhe veprimtarive të rrezikshme kriminale.
Gjatë këtij operacioni, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. Q., 21 vjeç, banues në Babrru, i cili u ndalua nga efektivët teksa lëvizte me një automjet tip “Audi”, në kryqëzimin e Valiasit.
Gjatë kontrollit në automjetin dhe më pas në banesën e tij, u sekuestruan:
• 1 armë zjarri pushkë me municion,
• 1 armë e ftohtë (thikë),
• 1 palë pranga si ato të Policisë,
• 1 kapuç për maskim.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Policia njofton se kontrollet do vijojnë në mënyrë intensive në gjithë territorin, për të parandaluar dhe goditur rastet e armëmbajtjes pa leje dhe elementët që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.


