Skandali me infektimin e fëmijëve me salmonelë/ PD denoncon: Bashkia nuk mban përgjegjësi! Kompania e përfshirë në korrupsion

Pasi skandali i infektimit të fëmijëve me bakterin salmonela në çerdhet dhe kopshtet e qytetit të Gramshit, Partia Demokratike ka hedhur akuza të forta ndaj kryebashkiakut socialist Besion Ajazi, për fshehje të të vërtetës dhe shpërdorim të fondeve publike.
Zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, në një deklaratë për mediat, deklaroi se kryebashkiaku ka mashtruar opinionin publik kur tha se “nuk kishte dijeni për emrin e kontraktorit”, “nuk dinte vlerën e tenderit” dhe se “nuk mund të dinte gjithçka për një kontratë të prokurimit”.
PD thekson se kompania fituese, ‘Nelsa shpk’, ka një të kaluar problematike.
Sipas saj, në vitin 2018 kjo kompani ishte pjesë e një çështjeje të njohur për korrupsion në tenderat publikë dhe u përfshi në një vendim penal të formës së prerë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda.
“Kujtojmë se në vitin 2018, një tender i ngjashëm për blerje ushqimesh ka qenë shkaku i dënimit të formës së prerë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, për korrupsion në tenderat e zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për ish drejtorine e burgjeve dhe të tjerë biznesmenë përfshirë kompaninë Nelsa shpk e cila në atë kohë kishte pronar babain e zonjës që mban pronësinë aktuale“, theksoi ajo.


