Shqiptarja në majat e teknologjisë/ Mira Murati renditet mes 100 personave më të fuqishëm të Inteligjencës Artificiale

Mira Murati është përfshirë nga revista amerikane TIME në listën “TIME100 AI 2026”, që përmbledh 100 njerëzit më me ndikim në zhvillimin dhe drejtimin e inteligjencës artificiale në botë.
Ish-drejtuese e teknologjisë në OpenAI dhe aktualisht bashkëthemeluese dhe CEO e Thinking Machines Lab, Murati është një nga figurat e përzgjedhura për kopertinën globale të edicionit të këtij viti, përkrah emrave të njohur të industrisë si Sam Altman, Elon Musk, Dario Amodei, Jeff Bezos, Larry Ellison, Ilya Sutskever dhe Fei-Fei Li.
Sipas TIME, lista e vitit 2026 përfshin 100 “leaders, innovators, shapers and thinkers” që po ndikojnë në drejtimin e së ardhmes së inteligjencës artificiale. Përzgjedhja është bërë pas muajsh kërkimi nga redaktorët dhe gazetarët e revistës, të cilët kanë marrë edhe rekomandime nga drejtues të industrisë dhe dhjetëra ekspertë.
TIME e ka publikuar gjithashtu një profil të veçantë për Mira Muratin, duke e identifikuar si bashkëthemeluese dhe CEO të Thinking Machines Lab.
Revista shkruan se Murati synon të zhvillojë një alternativë ndaj modeleve të AI të kontrolluara nga kompanitë e mëdha, me sisteme që mund të përshtaten me të dhënat dhe nevojat e përdoruesve.
Thinking Machines Lab, kompania që Murati themeloi në vitin 2025, ka mbledhur 2 miliardë dollarë në një raund fillestar financimi, sipas profilit të TIME.
Revista thekson gjithashtu marrëveshjen e kompanisë me Nvidia për sigurimin e çipave të gjeneratës së ardhshme për modelet e saj.
Në listën TIME100 AI 2026 janë përfshirë figura nga kompani teknologjike, kërkimi shkencor, biznesi, politika dhe industria krijuese. Mes tyre janë drejtues të OpenAI dhe Anthropic, si dhe figura të tjera të rëndësishme të ekosistemit global të AI.
Kryeredaktori i TIME, Sam Jacobs, shkruan se inteligjenca artificiale ka kaluar nga një teknologji kurioze në një pjesë të përditshme të mënyrës se si njerëzit punojnë dhe kërkojnë informacion.
Sipas tij, zhvillimi i AI është bërë njëkohësisht më i fuqishëm, më i debatueshëm dhe më përçarës.
Përfshirja e Mira Muratit në listën e këtij viti vjen pas një periudhe të rëndësishme në karrierën e saj: nga roli si CTO e OpenAI, ajo u largua nga kompania në vitin 2024 dhe më pas krijoi Thinking Machines Lab, duke u rikthyer në qendër të garës globale për zhvillimin e teknologjive të reja të inteligjencës artificiale.
Burimi: TIME


