“Shqiptarët që u bllokuan në Brindisi mbërritën në Portin e Vlorës…”, Balla: Wizz Air të respektojë të Drejtat e Pasagjerit

Rreth katërqind pasagjerë të dy fluturimeve Wizzair, me destinacion Tiranën dhe që vinin nga Bolonja dhe Bergamo, janë ulur në orën 03:00 të datës 7 janar në aeroportin e Brindisit, për shkak të kushteve të këqija atmosferike në aeroportin shqiptar.
Devijimi i detyruar emergjent ka shkaktuar protesta, të cilat janë përshkallëzuar gjithnjë e më shumë me kalimin e orëve pa marrë asnjë informacion, nga ana e një grupi të madh udhëtarësh. Sipas mediave italiane, këta pasagjerë kanë thyer portat (gate), kanë kapërcyer kordonët e sigurisë duke u futur në pistë.
Deputeti i PS Taulant Balla ka reaguar në një postim në Facebook duke u shprehur se shqiptarët të cilët u bllokuan në Brindisi mbërritën sot në Portin e Vlorës dhe bën thirrje për Kompaninë Wizz Air që të respektojë siç duhet të Drejtat e Pasagjerit.
"Bashkatdhetarët të cilët mbetën të bllokuar në aeroportin e Brindisit kanë mbërritur sot në mëngjes në Portin e Vlorës. E përsëris edhe një herë thirrjen për Kompaninë Wizz Air të respektojë siç duhet të Drejtat e Pasagjerit!!!"