Shpërthimi me tritol në Durrës, pronari i lokalit i dënuar për vrasjen e një klienti

Aktualitet

Shpërthimi me tritol në Durrës, pronari i lokalit i dënuar

Zbardhen të tjera të dhëna pas shpërthimit të orëve të para të mëngjesit; lokali ku u vendos lënda plasëse është në pronësi të Gëzim Kajnos, i dënuar për vrasjen e Asllan Kërtushës në vitin 2016
Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimi me lëndë plasëse i regjistruar në orët e para të mëngjesit në ambientet e jashtme të një lokali në Durrës.

Mësohet se lokali është në pronësi të Gëzim Kajnos, i cili rezulton i dënuar për vrasjen e Asllan Kërtushës në vitin 2016. Kërtusha, sipas të dhënave të raportuara për ngjarjen e asaj kohe, kishte qenë klient në lokalin e Kajnos.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 03:50, në lagjen nr. 11 të Durrësit, ku një sasi e vogël lënde plasëse u hodh në derën e jashtme të lokalit. Nga shpërthimi u shkaktuan vetëm dëme të lehta materiale dhe nuk raportohet për persona të lënduar.

Vetëm rreth 40 minuta më vonë, një tjetër shpërthim me lëndë plasëse u regjistrua në zonën e Shkallnurit. Rreth orës 04:30, në anë të rrugës Plepa–Ndroq, lënda plasëse u hodh në derën e garazhit të një automjeti, duke shkaktuar dëme materiale.

Deri më tani nuk është bërë e ditur nëse dy shpërthimet kanë lidhje me njëri-tjetrin. Po ashtu, nuk ka të dhëna zyrtare që e lidhin sulmin ndaj lokalit me të kaluarën e pronarit.

Grupet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për administrimin e provave, zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e kapjen e autorit apo autorëve.

Si ndodhi krimi në 2016?

Gëzim Kajno është dënuar me 10 vite burg për vrasjen e Asllan Kërtushës në vitin 2016, si dhe për armëmbajtje pa leje. Fillimisht, Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar me 6 vite burg, dënim të cilin Kajno e kishte përfunduar, por pas ankimit të Prokurorisë çështja përfundoi në Gjykatën e Lartë. Në vitin 2023, kjo e fundit la në fuqi një dënim prej 10 vitesh, duke bërë që Kajnos t'i mbeteshin edhe katër vite për të vuajtur. Ai u ndalua më pas nga Policia e Durrësit për ekzekutimin e vendimit.

Ngjarja për të cilën u dënua ndodhi në vitin 2016. Asllan Kërtusha, 29 vjeç, ndodhej në lokalin e Kajnos, ku nisi një konflikt pas fyerjeve ndaj klientëve. Pronari i lokalit, Gëzim Kajno i ka kërkuar Kërtushës që të mos fyejë klientët. Pas konfliktit në lokal, sherri u spostua jashtë. Kërtusha tentoi të largohej me taksi, por u nxor me dhunë nga makina nga Gëzim Bledar Kajno, i cili e qëlloi me plumb në zemër.

"Rreth orës 03:50, në lagjen nr. 11, Durrës, në derën e jashtme të një lokali në pronësi të shtetasit G. K., është hedhur një sasi e vogël lënde plasëse. Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme të lehta materiale.

Gjithashtu, rreth orës 04:30, në zonën e Shkallnurit, në anë të rrugës Plepa–Ndroq, është hedhur një sasi lënde plasëse në derën e garazhit të një automjeti, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Grupet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë veprimet për mbledhjen dhe administrimin e provave, zbardhjen e plotë të rrethanave, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.", njofton policia.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion