Shpërdoruan fondet e rindërtimit, Gjykata jep masën e sigurisë për punonjësit e Bashkisë së Rrogozhinës

Gjykata e Shkallës së Parë të Durrësit ka dhënë masën e sigurisë për pesë punonjësit e bashkisë së Rrogozhinës, të cilët akuzohen se kanë kryer veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit” dhe “Mashtrimit” me fondet e rindërtimit.
Është dhënë masa “arrest me burg” për 3 nga 5 punonjësit e bashkisë Rrogozhinë, konkretisht është dhënë masa “arrest me burg” për Besim Ballabani, Elton Levonja dhe Mario Mekaj, ndërsa masa “arrest shtëpie” u dha për Xhemile Ukun dhe Edlira Ramaj.
Nga hetimi i Policisë së Durrësit, rezultoi se këta shtetas kanë kryer të paktën 78 raste ku banesat për të cilat është dhënë dëmshpërblimi për shkak të dëmtimeve nga tërmeti nuk kanë qenë për strehim, por në dosjet e tyre janë shënuar objekte si kasolle të derrave e lopëve.
Sipas burimeve nga Prokuroria e Durrësit rezulton se hetimet në ngarkim të tyre nisën pas denoncimeve nga banorë të Rogozhinës të cilët u ankuan se me proçesin e verifikimit të dëmeve të tërmetit ishin bërë abuzime dhe se kishin përfituar persona të cilët nuk kishin pësuar dëmtime nëpër banesat e tyre.

