Shkodër/ Sherr në një lokal, 54-vjeçari rrëmben kallashnikovin dhe tenton të qëllojë pronarin!

Një ngjarje e mundshme kriminale kriminale është parandaluar sot në Shkodër pas sherrit në një lokal. Mësohet se 54-vjeçari me iniciale V.H., pas sherrit me pronarin e lokalit ka rrëmbyer një kallashnikov dhe ka tentuar të qëllojë.
Fatmirësisht nuk ka të lënduar pasi uniformat blu kanë mbërritur në kohë dhe 54-vjeçari është dorëzuar.
"Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, parandalohet përshkallëzimi i një konflikti me armë zjarri. U konfliktua me pronarin e lokalit dhe disa shtetas të tjerë, largohet dhe rikthehet me një armë zjarri kallashnikov në lokal, por falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, u bë e mundur neutralizimi dhe arrestimi i 54-vjeçarit. Procedohet në gjendje të lire dhe pronari i lokalit ku nisi konflikti. Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov dhe municioni luftarak.Pas marrjes së njoftimit nga Salla Operative për një konflikt në lagjen “Manush Alimani”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, organizuan punën dhe menjëherë kanë ndërhyrë me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Kanosje”, i shtetasit V. H., 54 vjeç, banues në Shkodër.
54-vjeçari, pas një konflikti me pronarin e lokalit shtetasin G. H., 36 vjeç, ishte larguar duke u rikthyer në lokal ku kishte me vete një armë zjarri kallashnikov. Në momentin që është rikthyer në lokal kanë mbërritur dhe shërbimet e Policisë të cilët kanë ndërhyrë për të neutralizuar 54 vjeçarin që mbante armën e zjarrit në dorë.
54-vjeçari në pamundësi për tu larguar ka hedhur armën në tokë. Shërbimet e Policisë e kanë prangosur menjëherë dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit dhe municionin luftarak. Në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lire shtetasi G. H., 36 vjeç, banues në Shkodër për veprat penale “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodër, për veprime të mëtejshme", njofton policia.


