Shiste mina për 6000 euro, arrestohet 30-vjeçari në Durrës (Emri)

Policia e Durrësit ka arrestuar një 30-vjeçar, pasi u kap me mina, që i shiste. Blutë në njoftimin zyrtar bëjnë me dije se shtetasi Eluar Thaçi i shiste këto për çmimin 6000 euro.
“Durrës/ Parandalohet një tjetër ngjarje e mundshme kriminale. Policia e Durrësit godet një tjetër rast të veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë. Finalizohet operacioni i koduar "Parandalimi". Sekuestrohen 2 mina me telekomandë të cilat do shiteshin kundrejt çmimit 6000 euro.
Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në koordinim me strukturat hetimore të DVP Durrës, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomandë po tentonte të shiste mina me telekomandë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me patrullat e përgjithshme kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar "Parandalimi".

Në kuadër të këtij operacioni, në vendin e quajtur "Muzeu", në lagjen nr.9, Durrës, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Eluar Thaçi, 30 vjeç, banues në Katund i Ri, Durrës.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit E. Th., i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë të lidhura me aparat celular, të cilat ky shtetas do i shiste kundrejt shumës 6000 euro. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit"”, njofton policia.


