Shifrat/ Dita e Rinisë pa të rinj, gati gjysma largohen jashtë vendit

Aktualitet

Shifrat/ Dita e Rinisë pa të rinj, gati gjysma largohen jashtë

Dita e Rinisë e gjen vendin tonë me një shkallë të lartë emigrimi gjatë kësaj periudhe ku të dhënat tregojnë se gjatë një dekade, nga Shqipëria janë larguar 45% e të rinjve të grupmoshës 15–29 vjeç.

Më shumë se një e katërta e të rinjve shqiptarë në moshën 25–30 vjeç nuk ka arsim profesional ose të lartë.

Me këtë formim, ata nuk kanë një zanat dhe, në këtë situatë, shohin emigrimin si zgjidhjen kryesore për jetën e tyre.

Megjithë përpjekjet, sistemi arsimor në vend nuk po mund të lidhet me nevojat e tregut të punës, dhe cilësia e të nxënit ka pësuar ulje.

Luhatjet në arsim dhe punësim e kanë çorientuar rininë, e cila, në vend që të reagojë dhe të kërkojë llogari, po zgjedh largimin.

Shifrat e popullsisë tregojnë se në vitin 2024, në të gjithë vendin kishte vetëm 405 mijë të rinj të moshës 15–29 vjeç, ose 45% më pak se në censin e vitit 2011.

Rënia e popullsisë së re në moshë lidhet me emigracionin e lartë, i cili ka marrë përmasat e një pandemie për këtë grupmoshë.

Numri i të rinjve ndërmjet dy censeve 2011–2023 ka rënë tre herë më shumë se popullsia e përgjithshme.

Në arsim, numri i nxënësve dhe studentëve po vazhdon të tkurret, ku vetëm për 5-vjeçarin e fundit janë regjistruar 61 mijë nxënës më pak, që përbën një tkurrje afro 10%./euronews

ME TE LEXUARAT