Dy turistet austriake godasin 36-vjeçarin në Ksamil: Na ngacmoi!

Një konflikt fizik është regjistruar këtë mëngjes në plazhin “Tre Ishujt” në Ksamil, ku janë përfshirë një shtetas shqiptar dhe dy turiste austriake.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00, ku 36-vjeçari Ledio Halka është goditur nga dy motrat austriake, Yagmur Ucal, 30 vjeç, dhe Mercan Ucal, 23 vjeç.
Sipas deklarimeve të tyre para policisë, vajzat pretendojnë se janë ngacmuar nga Halka, gjë që çoi në përplasjen fizike. Burimet bëjnë me dije se vajzat reaguan me dhunë fizike ndaj tij, ndërsa dëshmitarë në vendngjarje po merren në pyetje.
Forcat e rendit mbërritën menjëherë dhe shoqëruan të tre të përfshirët në komisariat për sqarimin e ngjarjes dhe ndjekjen e procedurave ligjore përkatëse.
Policia e Sarandës ka nisur hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të secilës palë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime edhe në rrjete sociale, me ndjekës që ndajnë mendime të ndara lidhur me versionet e palëve. Deri tani nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare, ndërsa pritet zbardhja e plotë e ngjarjes.


