Sherr me thika, i vënë flakën derës së shtëpisë të një personi, disa të arrestuar gjatë 24 orëve të fundit

Efektivë të Seksionit të kërkimit në Policinë e Tiranës i kanë vënë prangat shtetasin Arsen Maka.
38 vjeçari ishte në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 9 muaj burg.
Ai akuzohet për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Një 43-vjeçar me inicialet D. D. u arrestua nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Po ashtu, shtetasi I. K., 43 vjeç u arrestua në flagrancë pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj djalit dhe bashkëshortes së tij (e cila ka qenë e pajisur me urdhër-mbrojtje).
Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme, shtetasi K. L., 35 vjeç, ka përfunduar në spital pasi u qëllua me thikë. Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 4 Kavajë, dhe policia arrestoi si autorë të dyshuar shtetasit S. D., 39 vjeç dhe Sh. P., 37 vjeç.
Policia e Tiranës bën me dije se një 40 vjeçare me inicialet B. M., ka kallëzuar në Komisariat se i kanë vjedhur portofolin me një shumë parash dhe kartën e identitetit.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme dhe blutë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Ndërsa në rrugën “Taulantia”, në derën e jashtme të banesës së shtetasit O. T., 47 vjeç, dje kanë hedhur lëndë djegëse dhe si pasojë ka marrë flakë dera, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Policia edhe për këtë ngjarje po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.


