Sërish protestë në Rrjoll, banorët kërkojnë anulimin e resortit dhe akuzojnë deputetin Isuf Çelaj

Banorët e Rrjollit janë ngritur sërish në protestë këtë të marrtë. Ata kërkuan anulimin e lejes së resortit ndërsa akuzuan se i përfshirë si aksioner është edhe deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çelaj.
Këtë herë protesta ishte e qetë dhe paqësore në ndryshim nga protesta e kaluar ku banorët thyen murin rrethues dhe u futën në kantierin e punimeve.
Banorët kundërshtojnë ndërtimin e resortit turistik “Blue Borgo”, një investim prej rreth 280 milionë eurosh, që do të shtrihet në mbi 140 hektarë tokë bregdetare dhe do të përfshijë hotele, vila dhe ndërtesa akomoduese.
Ata pretenduar se resorti po ndërtohet mbi tokat e tyre të trashëguara dhe se çështja e pronësisë është ende në procese gjyqësore.
Disa prej familjeve thonë se kanë dokumente që vërtetojnë pronësinë mbi tokat ku parashikohet ndërtimi, ndërsa kërkojnë që institucionet të verifikojnë procesin dhe të ndalojnë punimet deri në një vendim përfundimtar.


