Aksidenti tragjik në autostradë: Zbulohet identiteti i shoferit të autobusit, 1 viktimë dhe mbi 14 të plagosur (EMRI)

Aktualitet

Aksidenti tragjik në autostradë: Zbulohet identiteti i shoferit

Policia e Shtetit ka saktësuar bilancin e aksidentit të rëndë të ndodhur rreth orës 15:00 në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia, duke bërë të ditur se, ndryshe nga raportimet e para, aksidenti ka shkaktuar një viktimë dhe jo dy.

Sipas njoftimit zyrtar, ka humbur jetën drejtuesi i autobusit, Redion Hasimi, 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.

Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur 12 pasagjerë, dhe jo 15 siç u raportua fillimisht. Prej tyre, 7 janë në gjendje të rëndë, ndërsa 5 kanë pësuar lëndime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Policia shpjegon se konfuzioni në informacionet e para u krijua për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të lënduarve në disa spitale. Një fëmijë, i cili mbërriti në një spital privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë falë ndërhyrjes së ekipit mjekësor. Më pas ai u transportua në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet nën kujdes intensiv.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Përditësim informacioni dhe saktësim i të dhënave për aksidentin e rëndë rrugor, të ndodhur rreth orës 15:00, në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia.

Në vijim të deklaratës për media të dhënë nga Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, në të cilën u deklarua se si pasojë e aksidentit kishin humbur jetën dy shtetas dhe 15 shtetas të tjerë po merrnin ndihmë mjekësore, pas saktësimit të informacionit rezulton se:

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një shtetas, konkretisht drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.

Gjithashtu, janë dëmtuar 12 shtetas, pasagjerë në autobus, dhe jo 15 shtetas.

Nga të dëmtuarit, 7 shtetas janë në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë të dëmtuarit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Konfuzioni në raportimin fillestar u krijua për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të dëmtuarve si në spitalin shtetëror, ashtu edhe në një spital privat. Një fëmijë, i cili mbërriti në spitalin privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë nga ekipi mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Më pas, fëmija është transportuar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.

Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion