Sarandë, Turistja dëmton shtyllën kurrizore, ambulanca mbërrin një orë me vonesë

Incidentet në plazhet shqiptare vijojnë të shënohen çdo ditë, duke shtuar shqetësimin për sigurinë e pushuesve dhe eficencën e shërbimeve emergjente. Pas dy ngjarjeve tragjike të ndodhura më herët një 59-vjeçar që humbi jetën në Qerret dhe një nënë që ndërroi jetë pasi u rrezikua bashkë me vajzën në plazhin e Vlorës një tjetër rast alarmues është regjistruar këtë të premte në Sarandë.
Një pushuese është përplasur nga dallgët teksa notonte, duke pësuar dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, ngjarja ka ndodhur rreth mesditës, ndërsa reagimi i ambulancës ka qenë tejet i vonuar.
“Ambulanca erdhi pas një ore, ndërkohë që spitali ndodhet vetëm 2 kilometra larg,” rrëfen një qytetar për mediat, duke ngritur akuza të forta për mungesë reagimi nga ana e institucioneve përgjegjëse. Në pamjet që qarkullojnë në rrjete sociale, shihet mbërritja e vonuar e ekipit mjekësor dhe transportimi i të lënduarës drejt spitalit.
Ky rast shton më tej shqetësimet për mungesën e shërbimeve efikase të shpëtimit dhe ndihmës së shpejtë në zonat bregdetare, sidomos gjatë sezonit veror, kur fluksi i pushuesve është i lartë. Mjekët dhe ekspertët kanë theksuar shpesh se ndihma e menjëhershme është vendimtare në rastet e dëmtimeve të shtyllës kurrizore, ndërsa çdo minutë vonesë mund të ketë pasoja fatale.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë një reagim zyrtar lidhur me incidentin dhe vonesën në ndërhyrje.


