Zjarr i qëllimshëm në Shijak: Djeg 169 pemë dhe 2 dynym tokë, arrestohet 50-vjeçari

Aktualitet

Zjarr i qëllimshëm në Shijak: Djeg 169 pemë dhe 2 dynym

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të premte në fshatin Koxhas-Fushë të Shijakut, ku një zjarr i qëllimshëm ka shkatërruar dhjetëra pemë dhe sipërfaqe të tëra toke bujqësore.


Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, pas marrjes së informacionit për një zjarr të përmasave të konsiderueshme në një parcelë me ullinj dhe pemë frutore, shërbimet e Komisariatit të Shijakut janë angazhuar menjëherë në terren.

Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, është bërë e mundur identifikimi, ndjekja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit S. L., 50 vjeç. Ai është kapur pranë parcelës në momentin kur zjarri ishte ende aktiv.

Nga shqyrtimet paraprake të vendngjarjes rezulton se janë djegur 2 dynym tokë arë në pronësi të shtetasit D. G., si dhe rreth 169 pemë, përfshirë ullinj dhe pemë të llojit Paulownia. Zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe ka rrezikuar përhapjen edhe në zona të tjera përreth.

Ndaj 50-vjeçarit është ngritur akuza për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ndërkohë që materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e hetimeve.

Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur motivet e plota të zjarrvënies dhe për të verifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

ME TE LEXUARAT