Rusia vijon sulmet në Ukrainë, Zelensky: Perëndimi të detyrojë Moskën të ndalë luftën

Pavarësisht samiteve të mbajtura për mbrojtjen e Ukrainës, Rusia ka vijuar me sulmet me dronë në infrastrukturën energjetike, por edhe godinat e banimit. Si pasojë të paktën 18 persona kanë mbetur të plagosur.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje ndërkombëtarëve për të ndalur luftën duke nisur me një armëpushim ajror dhe detar.
“Hapat e parë drejt paqes reale duhet të përfshijnë detyrimin e burimit të vetëm të kësaj lufte, Rusisë, që të ndalojë sulme të tilla kundër jetës. Dhe kjo është diçka që mund të monitorohet në mënyrë efektive. Heshtja në qiell – ndalimi i përdorimit të raketave, dronëve me rreze të gjatë dhe bombave ajrore. Dhe heshtja në det – një garanci e vërtetë e lundrimit normal”, tha Zelensky.
Sakaq Polonia aktivizoi sistemet e saj të mbrojtjes ajrore dhe ngriti avionët luftarakë.
Forcat e Armatosura të Polonisë thanë se, për shkak të aktiviteteve ajrore me rreze të gjatë të Rusisë, Polonia dhe aleatët kanë nisur një operacion ajror për ta vëzhguar dhe për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi.
Ndërkohë kryeministri hungarez Viktor Orban është shprehur skeptik nëse Bashkimi Evropian do të mundej të financonte Ukrainën.
“Bashkimi Evropian nuk mund të përballojë të financojë përpjekjet ushtarake të Ukrainës kur ndihma financiare nga Shtetet e Bashkuara nuk është më e garantuar. Nëse tani SHBA heq dorë nga financimi i luftës pse 26 vendet e tjera anëtare do të kishin një shans për ta çuar këtë luftë deri në fund? Brenda javësh ata do të kthehen dhe do të rezultojë se nuk kanë para për këto qëllime”, tha Orban.
Samiti i krizës në Bruksel prodhoi një deklaratë unanime mbështetëse të krerëve të bllokut europian për planin e rritjes masive të shpenzimeve për mbrojtjen.
Udhëheqësit e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare të BE-së i hapën rrugën në parim armatimit të Europës.
Hungaria ishte e vetmja që bëri rezistencën, por kjo nuk e ndryshoi qëndrimin e 26 vendeve të tjera që të vazhdojnë mbështetjen për Ukrainën.


