Rrugorja nuk fal, gjobit me 40 mijë lekë shoferin që hodhi shishen e ujit në rrugë

Një 53-vjeçar është gjobitur me 40 mijë lekë të reja pasi u kap duke hedhur mbeturina (një shishe ujë) në rrugë, ndërkohë ishte duke lëvizur me makinë.
Uniformat blu bëjnë me dije se gjatë monitorimit të qarkullimit të automjeteve, në aksin rrugor “Lushnjë-Rrethi i Kolonjës”, kanë konstatuar drejtuesin e një automjeti, duke hedhur në rrugë, mbeturina, që përveç se ndotin mjedisin, mund të bëhen shkak për humbjen e vëmendjes nga drejtuesit e tjerë të automjeteve.
Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë identifikuar drejtuesin e këtij automjeti, shtetasin J. K., 53 vjeç, dhe e kanë ndëshkuar atë me masë administrative 40 000 lekë të rinj, sipas neneve 15/2 dhe 15/1 pika g, të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore e Fierit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të mos hedhin mbeturina në rrugë dhe të mos kryejnë veprimeve të tjera të ndaluara, sepse mund të bëhen burim aksidenti, duke shpërqendruar drejtuesit e tjerë të automjeteve.


