Rritet numri i studentëve të helmuar në Akadmeinë e Sigurisë! Pas kompanisë së kateringut, nën hetim dhe AKU-ja

Është rritur numri i studentëve që dyshohet se u helmuan nga ushqimi në Akademinë e Sigurisë. Nga 60 që u raportua ditën e djeshme, sot kanë shfaqur simptoma të ngjashme edhe 4 studentë të tjerë. Në lidhje me rastin, Policia dhe Prokuroria e Tiranës vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje. Dosja e helmimit të dytë pritet të bashkohet në një të vetëm me helmimin e rastit të parë, ngjarje e ndodhur në fillim të muajit maj të këtij viti.
Përveç kompanisë SORI-AL, që çon ushqimin me katering në Akademi, burimet bëjnë me dije se hetimet janë shtrirë edhe për institucionin e AKU-së. Ky institucion po hetohet për të verifikuar nëse pas rikthimit të aktivitetit të SARI-AL në Akademi, ka kryer ose jo kontrolle të tjera në ambientet e saj gjatë 2 muajve të fundit. Po ashtu mësohet se sot pritet të merret në pyetje administratorja e kompanisë, Alma Tafani, e cila që pas helmimit të parë të studentëve është duke u hetuar penalisht në gjendje të lirë. Nga ana tjetër, grupi hetimor është në pritje të përgjigjes së analizave të mostrave të marra të ushqimit nga AKU, për të përcaktuar shkaqet që çuan në helmimin e 64 studentëve.


