Rrëzimi i regjimit të Assad, mijëra sirianë kthehen në shtëpitë e tyre
Pas rrëzimit të regjimit të ish-presidentit sirian Bashar al Assad, mijëra sirianë kanë marrë valixhet dhe kanë nisur rrugëtimin për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në Siri.
Sirianët që u strehuan në Turqi, si pasojë e regjimit të Assad, shpërthyen në lot gëzimin pas lajmit të largimit të Assad. Kaq u desh që ata të nisen për në Siri.
Mijëra sirianë ndodhen tashmë në pikën kufitare të Çolvegozu në Turqinë jugore, teksa presin të kalojnë doganën e të kthehen në shtëpi.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Sirianët ndodhen në pikën kufitare për të për të marrë rrugën e kthimit. Sipas Anadolu, për të shmangur mbipopullimin, ekipet e policisë doganore ngritën një postbllok të veçantë rreth 5 kilometra larg kufirit.
Që prej ditës së djeshme, emigrantët, të veshur me pallto dhe batanije, u vendosën pranë pikës kufitare në pritje për të kaluar në Siri. Disa u ngrohën nga zjarret e improvizuara, ndërsa të tjerët mbetën në të ftohtë.
Pas kontrolleve në pikën e caktuar, sirianët e konsideruar të përshtatshëm për kalim janë drejtuar në portën kufitare. Shumë prej tyre u është dashur të kërkojnë strehim në Turqi që nga viti 2011 dhe tani duan të kthehen në vendin e tyre.
Më herët, ministri i jashtëm turk Hakan Fidan tha në Konferencën e 15-të të Ambasadorëve se Ankaraja dëshiron kthimin e sirianëve.
“Ne do të vazhdojmë përpjekjet për të siguruar kthimin e sigurt dhe vullnetar të sirianëve dhe rindërtimin e vendit,” theksoi ai.