Rama: Nga shtatori nxënësit do të kenë të siguruar edhe drekën në shkolla!

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë ditën e sotme në përurimin e godinave 16 dhe 17 në Qytetin Studenti. Gjatë fjalës së tij, Rama bëri me dije për të gjithë prindërit një nismë të qeverisë, e cila do të hyjë në fuqi këtë vit.
Qeveria ka ndërmarrë nismën për ofrimin e ushqimit të drekës në shkollat 9-vjeçare, një program që synon të ndihmojë familjet dhe të krijojë një komunitet më të fortë social mes fëmijëve.
“Do vëmë në jetë dhe projektin më të ri të përbashkët mes qeverisë dhe bashkisë që në shkollat 9-vjeçare të fusim edhe ushqimin e drekës.
Dhe të krijojmë mundësinë për të pasur më shumë komunitet në sensin më shumë jetë të përbashkët edhe sociale mes fëmijëve për të pasur më shumë aktivitete që prindërit në momentin që lënë fëmijën në mëngjes në shkollë të mos e kenë kokën mbrapa dhe të mos detyrohen pastaj, të merren vesh me njëri tjetrin, kush do e lëri punën për të shkuar për ta marrë fëmijën për ta çuar në shtëpi etj, etj.
Po të bëjnë punën e tyre me orë të plota dhe nga ana tjetër patjetër dhe për të lehtësuar nga pikëpamja financiare një pjesë të familjeve që nuk e kanë shumë të lehtë jetën e tyre të përditshme ekonomike”, u shpreh kryeministri.


