Qeveria ndryshon ligjin, ndërtuesit e objekteve të konfiskuara nuk do të lejohen t’i blejnë në ankand

Projektligji i ri parashikon ndalimin e pjesëmarrjes në procedurat e shitjes për zhvilluesit, zbatuesit, mbikëqyrësit dhe kolauduesit e objekteve të konfiskuara. Administrimi i pasurive i kalon Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Qeveria ka propozuar ndryshimin e kuadrit ligjor për administrimin dhe shitjen e objekteve të konfiskuara nga shteti, të ndërtuara pa leje ose në tejkalim të lejes së ndërtimit.
Ndryshimi synon të ndalojë mundësinë që subjektet që kanë ndërtuar ose administruar këto objekte të marrin pjesë më pas në ankandet për blerjen e tyre.
Sipas projektligjit të miratuar në mbledhjen e fundit të qeverisë, “subjektet, në cilësinë e zhvilluesit/zbatuesit/mbikëqyrësit/kolauduesit të pronës së konfiskuar, nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në procedurat e shitjes”.
Masa vjen pas zbatimit të legjislacionit të miratuar tre vite më parë, i cili i dha shtetit mundësinë të konfiskojë objekte të ndërtuara pa leje ose ndërtime që tejkalonin me më shumë se 10% sipërfaqen e parashikuar në lejen e ndërtimit.
Në kuadër të këtij ligji, disa objekte ndërtimore, kryesisht në Tiranë, janë konfiskuar nga shteti. Mes tyre kanë qenë edhe objekte në zonën e Liqenit të Thatë dhe kulla “Eyes of Tirana”, për të cilën janë konstatuar kate shtesë mbi lejen e miratuar.
Pas konfiskimit, objektet janë administruar nga shteti dhe në raste të caktuara janë nxjerrë në shitje përmes procedurave të ankandit. Ndryshimi i ri synon të shmangë situatat ku subjektet e lidhura me ndërtimin e pronës mund të rikthehen si blerës të saj.
Administrimi kalon te Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara
Projektligji parashikon gjithashtu që administrimi i objekteve të sekuestruara dhe konfiskuara të kryhet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Agjencia do të ketë kompetencën për të përcaktuar destinacionin e këtyre pasurive, duke vlerësuar nëse ato do të përdoren për qëllime publike apo do të nxirren në shitje përmes ankandit.
Kufizimi për subjektet që kanë pasur rol në zhvillimin, ndërtimin, mbikëqyrjen apo kolaudimin e objektit do të zbatohet pas një periudhe tranzitore prej gjashtë muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit të ri.
Ndryshimet synojnë të forcojnë administrimin e pasurive të konfiskuara dhe të shmangin rikthimin e tyre te subjektet që kanë qenë të përfshira në ndërtimin e objekteve në kundërshtim me lejet përkatëse.


