Qeveria miraton vendimin që i hap rrugë tregtimit të dronëve dhe armëve të vogla të prodhuara në Shqipëri

Aktualitet

Qeveria miraton vendimin që i hap rrugë tregtimit të dronëve

Qeveria shqiptare do të krijojë një kompani shtetërore në formën e shoqërisë aksionare për të rigjallëruar industrinë ushtarake të vendit duke prodhuar armë dhe municione. 

Sipas draftit, shoqëria do të ngrihet si një person juridik dhe aksioneri i vetëm i saj do të jetë ministria e Mbrojtjes. Shoqëria do të financohet fillimisht përmes buxhetit të shtetit derisa të arrijë të jetë fitimprurëse.

Njoftimi i plotë:

MIRATIMIN E KUSHTEVE TË NEGOCIIMIT TË SHOQËRISË SHTETËRORE “KAYO”, SH.A., ME SHOQËRI PRIVATE PËR PRODHIMIN DHE TREGTIMIN E ARMËVE TË KALIBRAVE TË VEGJËL, TË MESËM DHE DRONËVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë “KAYO”, sh.a, me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët për prodhimin dhe tregtimin e armëve të kalibrave të vegjël, të mesëm dhe dronëve, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim.

2. Shoqëria “KAYO”, sh.a., negocion dhe pranon një pjesëmarrje jo më të ulët se 20 % të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.

3. Shoqëria “KAYO”, sh.a., kontribuon në entitetin e ri tregtar me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 5000 m2, që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuara nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi dhe pa të drejtë transferimi të pronës, e cila do të mbetet në çdo rrethanë pronë e shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a.

4. Shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti më të cilin negocion, minimalisht:

a) një vlerë investimi jo më të ulët se 50 (pesëdhjetë) milionë euro;

b) ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit ose montimit të armëve të kalibrave të vegjël, të mesëm dhe dronëve sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë;

c) sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve në rast eksporti.

5. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin, montimin dhe tregtimin e armëve të kalibrave të vegjël dhe dronëve për Forcat e Armatosura dhe për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.

6. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se administratori/ët e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërpërmendura, zgjidhet me dakordësinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.

7. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër gjatë negociatave se, minimalisht 40 % e Këshillit Drejtues ose Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO”, sh.a.

8. Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat mbi të drejtën e vetos, që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të pikës 9, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.

9. Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës sigurohet nga Forcat e Armatosura, sipas akteve nënligjore, të nxjerra nga autoritetet kompetente, sipas ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

10. Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

        Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI

BELINDA BALLUKU

ME TE LEXUARAT