Qarkullonte me armë pa leje, arrestohet 17-vjeçari në Durrës

Policia e Durrësit ka bërë të mundur arrestimin e një 17-vjeçari, pasi qarkullonte me armë pa leje. Sipas policisë, i mituri, gjatë ndjekjes, hodhi pistoletën.
“Durrës/ Goditet brenda javës, rasti i tretë i armëmbajtjes pa leje në qarkun e Durrësit. Lëvizte me armë zjarri me vete dhe gjatë ndjekjes nga Policia e hodhi atë, identifikohet dhe arrestohet 17-vjeçari. Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë.
Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të kontrolleve në territor, për kapjen e personave në kërkim ose të atyre që lëvizin me armë zjarri me vete, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, rreth orës 04:00, në lagjen nr.6, Durrës, kanë konstatuar një shtetas, i cili pas thirrjes së punonjësve të Policisë nuk i është bindur urdhrit për ndalim.
Pasi është ndjekur nga shërbimet e Policisë, ky shtetas ka hedhur në oborrin e shtetasit G. K., çantën e dorës, brenda së cilës u gjet një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, nga strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi për veprën penale "Armëmbajtja pa leje ", i shtetasit I. R., 17 vjeç, banues në Durrës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.


