“Pse më denoncove?” – Dhunohet pronari i restorantit “Tokyo”, në kërkim dy pronarët e “Stockholm”

Aktualitet

“Pse më denoncove?” – Dhunohet pronari i restorantit

Një përplasje e dhunshme ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në zonën e kompleksit “Delijorgji” në Tiranë, ku është rrahur brutalisht pronari i restorantit “Tokyo”, Laert Kasaj. Sipas burimeve policore, autorët e dyshuar të sulmit janë Ferhat Kaja dhe një person tjetër i afërm i tij – të dy në kërkim dhe të identifikuar si pronarë të lokalit “Stockholm”, që ndodhet përballë vendngjarjes.

Dëshmitarët tregojnë se gjatë agresionit, njëri prej sulmuesve i është drejtuar Kasajt me fjalët: “Pse më ke denoncuar?”, duke e akuzuar se ka raportuar në institucionet shtetërore për zaptim të hapësirave publike nga ana e biznesit të tyre.

Konflikti verbal mes palëve ka degjeneruar në përleshje fizike me dhunë të ashpër. Kasaj ka marrë goditje të shumta dhe është dërguar për mjekim.

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe po punon për kapjen e autorëve të dyshuar. Ngjarja ka shkaktuar reagime në zonë për shkak të natyrës së dhunshme dhe përfshirjes së emrave të njohur të biznesit lokal.

ME TE LEXUARAT