“Protestuesit nuk kishin armë”, Rama kujton ‘21 Janarin’: Po kalonim urën me Pandeli Majkon u shfaq një autoblind dhe…

Kryeministri Edi Rama nga Kryeministria, atje ku po mbahet një aktivitet përkujtimor për 4 protestuesit e vrarë në protestën e 21 janarit, ka rikujtuar ngjarjet e protestës së 21 janarit, duke theksuar se ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës e ktheu situatën në një kaos, duke e bërë protestën të dalë jashtë kontrollit.
Ai ka shtuar se, megjithë tensionet, protestuesit nuk tentuan të kalonin gardhin e godinës së Kryeministrisë dhe nuk u gjetën prova për praninë e armëve në radhët e tyre.
“Kujtoj se bashkë me Pandeli Majkon dhe disa të tjerë po kalonim urën e bulevardit për të ardhur këtu, një autoblind u shfaq dhe një valë gazi lotsjellës u lëshua mbi kokat e njerëzve pa nisur ende protesta, duke na zmbrapsur nga parku Rinia. Kjo e ktheu protestën në një lëmsh kaotik, duke na detyruar të ktheheshim në selinë e partisë. Protesta doli jashtë kontrollit. Vatrat e zjarrit u ndezën, protestuesit nuk tentuan të kapërcenin gardhin e godinës së Kryeministrisë, veç një veturë që u filmua duke hyrë në portën anësore të hekurit. Askush nga protestuesit nuk bëri përpjekje për të shkelur perimetrin e sigurisë dhe të futej brenda në godinë. Asnjë pamje filmike nuk nxori në pah praninë e një arme në radhët e protestuesve”, u shpreh Rama.
Gjithashtu Rama nuk u kursye për të sulmuar paraardhësin e tij, Sali Berishën që asokohe ishte në krye të qeveris.
Ai tha se Kryeministri i asaj kohe lëshoi kushtrimin me përgjigje me plumb ballit ndaj opozitës.
“15 vite më parë, këtu në këtë godinë ishte barikaduar një hordhi e armatosur, përzierje e trupës së rregullt të Gardës dhe çetave paramilitare të Kryeministrit. Godina ishte përforcuar me tela me gjemba, të shtrira gjithandej pas atij gardhi të shëmtuar hekuri që rrethonte Kryeministrinë, pas sulmit të armatosur të vitit 1998. Njeriu i futur nga populli në zyrën e kryeministrit për të udhëhequr Shqipërinë, kishte lëshuar kushtrimin për përgjigje me plumb balli ndaj protestës së opozitës së bashkuar të kohës.”, tha ai.


