Prek trurin dhe palcën kurrizore, Bino tregon çfarë po ndodh në vend me sëmundjen e meningjiti!

Shefja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino ka folur rreth rasteve të fundit të meningjitit tek fëmijët në Shqipëri.
Për të gjithë ata që ndoshta nuk dinë shumë rreth kësaj sëmundje, meningjiti është një infeksion i membranave meningjeve që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore.
Meningjiti mund të shkaktohet nga një infeksion bakterial, fungal ose viral. Meningjiti mund të jetë akut me një fillim të shpejtë të simptomave, kronik, që zgjat një muaj ose më shumë, ose i butë ose aseptik.
Për më shumë, Silva Bino shpjegoi:
"Meningjiti natyrisht është një sëmundje e rëndë dhe kemi dy lloje meningjitesh, meningjitin bakterial dhe meningjitin tjetër, apo meningjitin aseptik.
Pra, meningjitin me likuor të turbullt dhe meningjitin me likuor të qartë. Për shkak të ngjyrimit apo pamjes së lëngut truno-shpinor dhe meningjiti bakterial shkaktohet nga baktere të ndryshme kurse meningjiti me likuor të qartë kryesisht shkaktohet edhe nga viruset, por edhe mykrat apo patogjenë të tjerë.
Ne nuk kemi epidemi aktualisht sepse në qoftë se flasim për epidemi për disa raste të lidhura me njëra-tjetrën ose edhe ajo që ne e quajme grupim për disa raste të ndara, por që janë në të njëjtën kohë me njëra-tjetrën. Kjo gjë nuk ekziston sot.
Pra, ne kemi pasur vetëm një rast në Durrës. Natyrisht në Durrës kemi pasur edhe një rast tjetër vitin e kaluar, por nuk janë raste që lidhen me njëra-tjetrën", tha Bino në TAR.


